Loading…

Mogherini, nga Washingtoni, ka një porosi për Shqipërinë

  • 11/02/2017 | 21:49

Mogherini, nga Washingtoni, ka një porosi për Shqipërinë

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, tha në Washington se shpreson që politikanët në Shqipëri të shfaqin unitet për zbatimin e reformës në drejtësi.


Federica Mogherini, vizitoi kryeqytetin amerikan, për “të matur pulsin” e administratës së re amerikane në lidhje me çështjet e ndryshme ndërkombëtare për të cilat bashkëpunojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ajo tha në përgjigje të pyetjeve të Zërit të Amerikës, se Ballkani Perëndimor ishte një nga çështjet që kishte ngritur në bisedat me zyrtarët amerikanë.

Mogherini tha se e kishte vlerësuar votën unanime për reformën në drejtësi duke e quajtur miratimin, “një hap historik për vendin”. Por ajo tha se tani fokusi duhet të jetë tek zbatimi i saj.

“Natyrisht ajo që është e rëndësishme për ne është që i njëjti unitet dhe e njëjta vendosmëri të tregohen për zbatimin e reformës dhe kam besim që vendi mund ta gjejë forcën në institucione që ta bëjë një gjë të tillë, sepse e di se sa e rëndësi ka për shqiptarët kjo reformë. Ne të gjithë mendojmë se ajo është vendimtare për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha zonja Mogherini, në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës në aktivitetin në Këshillin e Atlantikut.

Mogherini tha se rruga për integrimin e Shqipërisë është e hapur nëse reforma zbatohet. Mogherini gjysmë me shaka iu referua marrëdhënieve të vështira politike në vend, duke shprehur shpresën që ajo të realizohet me një ndjenjë bashkimi kombëtar.

“E di që ky nuk është sporti i preferuar në Shqipëri, por mendoj se kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, kjo është një domosdoshmëri”.

Mogherini tha se Ballkani Perëndimor ishte pjesë e bisedimeve të saj në Washington gjatë vizitës së saj dyditore dhe se ajo kishte përcjellë mesazhin se për Bashkimin Evropian, puna me Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore.

“Për ne në Bashkimin Evropian është thelbësor bashkëpunimi rajonal dhe nevoja që secili nga vendet e rajonit të ecë përpara në rrugën e reformës dhe përfundimisht të integrohet në BE”, tha Mogherini.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë