Tërmetet e fuqishme që u shkaktuan dje në Shqipëri, bënë që të reagojë edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një postimi në Twitter nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigj Soreca, Mogherini i ka shprehur solidaritet kryeministrit Edi Rama, për këtë situatë në Shqipëri.
Federica Mogherini në mesazhin e saj shprehet se uron që të gjithë të lënduarit nga lëkundjet sizmike të mund të shërohen sa më shpejt.
““Uroj që të plagosurit nga tërmeti të shërohen sa më shpejt. Solidarizohem me kryeministrin Rama për këtë situatë. Bashkimi Europian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë për të rimarrë veten”, thotë ndër të tjera në mesazhin e saj Mogherini.
Tërmeti më i fuqishëm i shkaktuar gjatë ditës së djeshme ishte në veri të Durrësit, me magnitudë 5.8 ballë dhe me intensitet prej 7.5 ballë.
Federica Mogherini expresses solidarity to Prime Minister of Albania Edi Rama over devastating earthquakes – European External Action Service https://t.co/rrw1NK152B
— Luigi Soreca🇪🇺 (@LSorecaEU) September 22, 2019
Komunikatë e Zyrës së BE-së:
Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë në BE Federica Mogherini i ka shprehur solidaritet kryeministrit shqiptar Edi Rama për një seri tërmetesh shkatërruese që kanë goditur Shqipërinë duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke shkaktuar dëm të jashtëzakonshëm në ndërtesa dhe infrastrukturë.
Përfaqësuesja e lartë iu uron të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejtë. Ajo gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ofruar ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Ndërsa kryeministri Rama anuloi udhëtimin e tij për në Nju Jork për javën ministrore të Asamblesë së Përgjithshme të KB. Ai do të zëvendësohet nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj në darkën që përfaqësuesja e Lartë do të zhvillojë sot me krerët e Ballkanit Perëndimor. /gazetametro.net