Gjatë ditës u raportua për një takim të dy nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe Aida Dërgutit, duke aluduar se deputetja në fjalë po kalon në PDK. Por pastaj, Kuvendi përmes një njoftimi sqaroi takimin e dyshes, duke thënë se kanë pirë kafe derisa po prisnin të aplikojnë për vizë britanike.
Por, kalimin e Aidës në PDK e ka demantuar edhe Dardan Molliqaj. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Aida nuk do të kalonte kurrë në PDK.
Sipas tij, këta që i kanë hequr vijat e kuqe për PDK-në (duke thumbuar kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti), e sot i akuzojnë shokët e shoqet e tyre për tradhëti, vetëm sa po shfaqin hipokrizinë e tyre, përcjell Gazeta Metro.
“Por e ardhmja do ta dëshmojë se kush do të përfundojë tek PDK-ja”, deklaron Molliqaj, duke shtuar se ajo nuk do të jetë Aida.
Dërguti më herët kishte dhënë dorëheqje nga postet e saja brenda Vetëvendosjes, pas skandalit me SMS që u shfaq në publik.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Molliqajt.
Aida Dërguti që jetën ia kushtoi çlirimit dhe zhvillimit të vendit tonë, prej angazhimit në UÇK e deri sot, vazhdon të jetë një prej njerëzve që nuk do të ndalen në përpjekjen kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.
E ata që i kanë hequr vijat e kuqe ndaj PDK-së kurse sot i akuzojnë shoqet e shokët e tyre më të mirë për tradhëti, nuk po bëjnë asgjë më shumë se sa që po e shpërfaqin hipokrizinë e tyre.
Por e ardhmja do ta dëshmojë se kush do të përfundojë tek PDK-ja. Definitivisht ajo nuk do të jetë Aida./Gazetametro.net