Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, sërish është marrë me drejtorin e RTK-së, Mentor Shala, duke e quajtur atë servil të pushtetit.
“Drejtori i RTK-së, Mentor Shala si servil i pushtetit dhe i braktisur në planin e tij për ta akuzuar VETËVENDOSJE!-n, sërish ka keqpërdorur gjuhë akuzuese e shpifëse për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, këtë herë kundër meje”, shkruan Molliqaj në reagim.
Edhe kësaj here, sikurse në konferencën e kaluar, Molliqaj, drejtorin e RTK-së e lidh me procesin, siç thotë ai të montuar kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pasi pushteti po dështon që ta montojë procesin kundër aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Shala vazhdon të gënjejë i vetmuar në këtë luftë të pandershme. Si në kohën kur lëshonte komunikata në emër të menaxhmentit dhe përdorte hapësirën publike për t’i akuzuar pa asnjë provë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, ai po vazhdon të shpifë për sulme të cilat VETËVENDOSJE!- nuk ka asnjë lidhje”.
“Unë e ftoj prokurorinë që ta trajtojë si shpifje deklaratën e tij dhe të kërkojë përgjegjësi penale ndaj këtij shërbëtori besnik të pushtetit i cili nuk po dorëzohet nga kjo betejë prej së cilës edhe vetë pushteti po tërheqet. E vërteta, që e ka mposhtur ekipin montues të rastit që akuzonte për terrorizën, do ta mposhtë edhe këtë sharlatan insistues”. /gazetametro.net