Loading…

Morena Taraku në botën e çudirave politike

  • Nga

  • ASTRIT SALIHU

  • 28/02/2020 | 13:45

Morena Taraku në botën e çudirave politike

Ditën që Morena Taraku është bërë bionde kanë filluar çudirat politike me veprime të habitshme të Kryeministrit Albin Kurti!

Shkruan – Astrit Salihu

Dokumenti sekret i nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi, me të cilin shprehet pëlqimi që të mos ndërmerren veprime ushtarake në Kosovë pa bashkëveprimin me forcat e KFOR-it, që në përkthim i bie NATO-s, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, na paraqitet si dokument me të cilin qenka cenuar interesi i popullit të Kosovës! As më shumë e as më pak! Por, a ka diçka tjetër që mund të shpaloset nga ky mesazh i dërguar opinionit nga qeveria e re e Kosovës? Mos ka këtu diçka që, ndoshta, shumica e opinionit e ka lënë në harresë apo thjeshtë nuk e ka të ditur? Gjesti i këtillë politik ka krijuar një huti tek shumica e qytetarëve. Tek shumica shprehej një habi ngase kishin problemin e thjeshtë të gjetjes së ndonjë filli logjik në krejt këtë gjest.

Sa do të duket e pashpjegueshme dhe e palogjikshme që kryeministri i një vendi të cilin e kanë çliruar forcat e NATO-s me bombardimin e tyre deri në tërheqjen e forcave ushtarake serbe, të konsiderojë bashkëveprimin e FSK-së (asokohe ishte FSK e jo ushtri) me KFOR-in si tradhti, ka në prapavijë konsistencën politike por edhe atë ideologjike të kryeministrit.

Në shikim të parë, gjë që do të ishte lajm i mirë sikur të jetë i tillë, është ai se nën presionin e të emëruarit të presidentit Trump për heqjen e taksës dhe natyrisht edhe të reciprocitetit, Kryeministri Albin Kurti përpiqet ta zhvendosë vëmendjen e opinionit dhe të krijojë situate të emergjencës. Titulli i lajmit për dokumentin sekret të tradhëtisë së presidentit nuk mund ta lë asnjë qytetarë indiferent. Por si të shpjegohet poenta krejtësisht e huqur për tradhëti të vendit nëse dikush nga politikanët kosovarë do të mbetet i përkushtuar për bashkëveprim të FSK dhe
KFOR-it. E ajo që është brengosëse del që kjo të mos jetë një gabim ngutie e kryeministrit, por as naivitetit të tij politik.

E ky është shpjegimi më i thjeshtë i mundshëm të cilin vetë Kryeministri Albin Kurti e ka bërë të ditur që nga hapat e parë të angazhimit të tij në politikë. Ai është në pozicionet anti NATO. Kryeministri Albin Kurti gjatë udhëheqjes së LVV, në mënyrë të strukturuar dhe kontinuale ka promovuar idetë që janë anti NATO. Këtë ai as që e ka fshehur ndonjëherë. Për LVV dhe ideologët e saj, NATO është një forcë ushtarake imperialiste e cila dhunon botën dhe mbanë me dhunë rendin ekzistues të demokracisë liberale ose të neoliberalizmit.

Nocionet si liberalizëm dhe neoliberalizëm për të gjithë ideologët e LVV kanë konotacion pezhorativ, ato shënjojnë një sistem represiv ideologjik të cilin duhet rrënuar me të gjitha mjetet. Andaj edhe qëndrimi i Kryeministrit Albin Kurti se marrëveshja e Presidentit Hashim Thaçi me KFOR-in, që nuk do të ndërmerren veprime ushtarake pa bashkëveprimin me ta, shihet natyrshëm si tradhëti e interesit kombëtar. Sepse ata konsiderojnë praninë e ushtrisë
multinacionale të NATO-s në Kosovë si cenim të drejtëpërdrejtë të sovranitetit të vendit. Mbi bazën e kësaj logjike dikush në postin e kryeministrit del me diçka të tillë si të vetëkuptueshme.

Andaj nuk është për t’u habitur që kemi veprim të tillë të Kryeministrit Albin Kurti. E njëjta vlen edhe për shpërfilljen e kërksave të palës amerikane për zhbllokimin e dialogut. Vendimi i tij për heqjen e pjesërishme të takses me mundësinë e vendosjes së reciprocitetit që shpërfill krejtësisht kërkesat e ndërmjetësve amerikan, nuk duket të jetë jashtë kësaj logjike ideologjikisht të strukturuar të LVV-së. Nuk është se afirmohet ndonjë veprim joracional nga kokëfortësia, por thjeshtë një veprim i cili shpërfaq hapur mospajtimin me angazhimin amerikan. Fundja ata që e shohin NATO-n si forcë imperialiste nuk mund që SHBA-të t’i shohin si palë dashamirëse për vendin e tyre.

Këto veprime nuk do të jenë pa pasoja të mëdha në proceset e ardhshme politike të cilave u prinë një logjikë e tillë e brumosur me ideologji të majtizmit ekstrem. Andaj tash e tutje do të jemi dëshmitarë të veprimeve që vetëm në shikim janë të habitshme. Për t’i hequr dilemat e opinionit mund të konstatojmë se në veprimet e Kryeministrit Albin Kurti nuk ka as papjekuri politike as naivitet. Ky është qëndrimi i tij dhe në këtë qëndrim ka konsistencë.

Në të njëjtën ditë thuajse me një ironi në portalet tona ishte publikuar edhe lajmi se Morena Taraku është bërë bionde. Nuk besoj që Kryeministri i Kosovës të ketë menduar se me të ndryshuarit e ngjyrës së flokëve të Morena Tarakut edhe opinionit t’i ketë ndryshuar koeficienti i inteligjencës. Madje nuk besoj që as followers të saj të kenë koeficientin aq të ulët të inteligjencës. Së paku kanë shije estetike.

(Autori Astrit Salihu është filozof i njohur dhe profesor universitar, ky opinion është shkruar enkas për Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë