Loading…

Mospajtimet e para SHBA-VV

  • Nga

  • FATON ABDULLAHU

  • 09/10/2019 | 11:19

Mospajtimet e para SHBA-VV

Ambasadori Kosnet – Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Kryetari i  VV Kurti – Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.


Shkruan: Faton Abdullahu

Ambasadori i SHBA-s në Gjermani i cili do të jetë njëkohësisht edhe përfaqësues special i SHBA-s në dialogun Kosovë Serbi, Richard Grenell, sot viziton Kosovën. Kjo vizitë është shumë e rëndësishme për shumë arsye. Për rrjedhojë do të komentohet në mënyra të ndryshme. Që të mos ketë shumë vend për interpretime e keqkuptime Grenell duhet të jetë i drejtpërdrejtë në shumë aspekte, në rend të parë për të mirën e vendit tonë dhe qytetarëve të saj.  Kjo pos tjerash edhe pse që tani ka një mospajtim bazik ndërmjet qëndrimeve të SHBA-s për dialogun, konkretisht ambasadorit të SHBA-s në Prishtinë, dhe kandidatit për kryeministër nga partia VV e cila doli fituese në zgjedhjet e fundit. Mospajtimi ndërmjet asaj se çfarë tha Ambasadori Kosnet dhe lideri i VV-së nuk u hetua as komentua pothuajse nga askush. Ato u thanë dje në takimin që ndodhi në selinë e VV-së ndërmjet Ambasadorit Kosnet dhe Kryetarit Kurti. Ky mospajtim është pothuajse bazik. Mospajtimi është se SHBA-t duan që dialogu me Serbinë ‘të rifillojë menjëherë’ kurse VV konstaton se ‘nuk do të vonohemi  por s’kemi pse nxitohemi’.

Në të vërtetë këtu asgjë nuk ka të re, por e vjetra bëhet brengosëse e nëse nuk ka ndryshime mund të jetë alarmante. SHBA-t e kanë thënë në mënyrë të përsëritur se dialogu duhet të rifillojë menjëherë. Kjo është thënë edhe në Letrën e Presidentit Trump, edhe në atë të shteteve të QUINT-it edhe nga Brukseli. Se sa kjo nguti e SHBA-së është serioze u pa edhe nga fakti se për arsye të ngjashme ka rënë Qeveria Haradinaj e cila me taksën ka shpërfillur këtë nxitim të SHBA-s dhe e ka stërkequr këtë hapërim deri në bllokim të plotë të bisedimeve. Në anën tjetër nuk ka risi as në qëndrimin e VV-së.

Edhe VV është konsistente në qasjen e saj se, në dialog me Serbinë nuk duhet të ngutemi. Kjo nuk është qasje e re e VV-së. Në ditën kur u shpërbë legjislatura e fundit, në një prononcim për media z. Kurti ishte i qartë se prioritet do ta ketë luftimin e korrupsionit krimit dhe nepotizmit, kurse për dialogun la të nënkuptohet se i ngutet Serbisë e jo neve.  Kjo ishte edhe qasja e tij gjatë gjithë fushatës zgjedhore. A do ta ndryshoj këtë qëndrim Kryetari i VV apo jo, mbetet të shihet. Nëse është për ta gjykuar këtë qasje nga konsistenca e z. Kurti, në këtë segment, ai nuk do të ndryshoj. Mirëpo tani ai është (mund të jetë) në pozitë krejt tjetër, atë të kryeministrit, dhe për rrjedhojë edhe mund të ndodhë, ajo që jo pak simpatizant të tij nuk e presin, të filloj të ndryshoj dhe t’i përshtatet më shumë partnerëve ndërkombëtar sesa atyre me votën e të cilëve u ngrit deri në këtë stad.

Grenell sot duhet ta sqaroj çështjen e kohës, përkatësisht prioritetin e bisedimeve me Serbinë edhe për një arsye tjetër. Nëse në këtë pikë nuk do të ketë mirëkuptim për nxitimin e SHBA-së, do të ketë barrierë në krijimin e koalicionit VV- LDK, përkatësisht problem shtesë edhe në pajtimin  e këtyre dy subjekteve se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm. LDK bazuar në qëndrimet e strukturave të saja të deritashme, në këtë segment, nuk e ka mohuar as edhe tërthorazi prioritetin e bisedimeve me Serbinë. Mund të jetë ndryshe nëse gjykohet nga qasja dhe prioritetet që i ka vu në listën e saj gjatë fushatës znj. Osmani. Bazuar në këtë qasje dikush mund të mendonte se znj. Osmani do ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit dhe assesi bisedimet me Serbinë. Për rrjedhojë mund të dyshohet se mund të ketë një mirëkuptim politik për çështjen e mos nxitimit në dialog me Serbinë ndërmjet z. Kurti dhe znj. Osmani.  Por në këtë segment mbetet të shihet se a është znj. Osmani ajo që mund ta përqafoj edhe më shumë qasjen e Kurtit për të mos nxituar me dialogun. Nëse VV nuk ndryshon qëndrim dhe insiston në atë që bisedimet me Serbinë nuk janë prioritet dhe nuk ka pse të nxitohet kjo mund të jetë arsye pse mund të mos funksionoj  koalicioni VV – LDK. Për më shumë, nëse znj. Osmani insiston që koalicioni me VV duhet të ndodhë pavarësisht këtij prioriteti që kanë partnerët tanë ndërkombëtar, kjo mandej mund të determinoj përçarje përbrenda LDK-së sepse është e pritshme mandej që strukturat e LDK-së ta kundërshtojnë këtë tempo rreth dialogut dhe të insistojnë që bisedimet me Serbinë të bëhen në koordinim kohor me SHBA-t dhe partnerët tjerë.

(Autori Faton Abdullahu është analist i njohur. Kjo kolumne është e shkruar enkas për Metro)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë