Loading…

MSA’ja nuk i ndihmoi eksportit

  • 07/04/2017 | 15:20

MSA’ja nuk i ndihmoi eksportit

Sipas një hulumtimi të Odës Ekonomike Amerikane, eksportet e Kosovës drejt BE-së pësuan rënie që nga hyrja në fuqi e MSA-së.


 Oda Ekonomike Amerikane gjatë prezantimit të rezultateve të anketës “Njëvjetori i MSA-së: Mësimet e Nxjerra dhe Hapat e Mëtutjeshëm” konstatoi se eksportet kosovare me vendet e BE-së ranë në vitin e parë prejse hyri në fuqi MSA-ja.

Rezultatet e anketës për raportin tregtar mes Kosovës dhe Bashkimit Europian (BE) për periudhën njëvjeçare para hyrjes në fuqi të MSA-së dhe periudhën një vjeçare pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje i paraqiti Visar Hatçiu nga Departamenti i Politikave të Odës Ekonomike Amerikane.

“Nga data 1 prill 2015 deri në datën 31 mars 2016 importi nga vendet e BE-së ka shënuar 1.1 miliardë euro, ndërsa ai është rritur në 1.2 miliardë euro në periudhën krahasimore një vit më pas. Në anën tjetër eksporti ka shënuar një rënie prej 128 milionë euro në 90 milionë euro”, tha Hatçiu.

Ai zvogëlimin e vlerës monetare të eksportit e lidhi me rënien e çmimit të nikelit në tregun ndërkombëtar.

Në diskutimin që u zhvillua pas prezantimit të anketës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se Marrëveshja e stabilizim-Asociimit nuk mund të ndikojë pozitivisht që në vitin e parë.

“Gjetja e tregjeve nuk është diçka që ndodh brenda muajve, ajo kërkon kohë. Të gjithë ata që kanë pritur, në fakt nuk kanë pasur informacionin e duhur. Ajo çka është shqetësuese është pikërisht kjo- krijimi i bilancit negativ tregtar, i cila jo vetëm për rënien e çmimit të nikelit, por edhe për shkak se ‘Feronikeli’ për disa muaj me radhë në vitin 2016 nuk ka funksionuar fare”, tha ministrja Bajrami.

Arian Zeka, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu drojën se trendi i tillë mes eksportit dhe importit me vendet e BE-së do të vazhdojë gjatë.

“Ne në Odën Amerikane kemi drojën që nëntëvjetori ose dhjetëvjetori i fundit prej kur të gjitha mallrat nga BE-ja do të hyjnë në territorin tonë pa iu nënshtruar as edhe një takse doganore do të rrisë presionin mbi prodhuesit vendorë dhe më tutje do ta rëndojë, do ta qesë në të dy gjunjët industrinë tonë prodhuese”, tha Zeka.

Sipas anketës së Odës Ekonomike Amerikane, në periudhën pas nënshkrimit të marrëveshjes së MSA-së mbulimi i importit me eksport ka qenë vetëm 7.5 për qind, ndërsa bizneset vendore eksportuan mallra në Gjermani, Angli, Zvicër, Suedi, Belgjikë dhe Holandë .

44 për qind të të anketuarve nga bizneset kosovare kanë theksuar se eksporti i tyre drejt vendeve të BE-së është rritur pas nënshkrimit të marrëveshjes së MSA-së ndërsa 55 për qind të tyre kanë deklaruar që nuk ka pasur ndonjë dallim të madh në eksport pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Kujtim Gjevori nga ndërmarrja prodhuese e qeseve plastike “Scampa” tha se efekt pozitiv i MSA-së ka qenë rritja e disponimit të partnerëve të huaj të bashkëpunojnë me kompanitë vendore pasi më herët problem ka qenë imazhi i Kosovës.

“Qe tetë vjet jam aktiv në Europë për të gjetur parterë, tash ka filluar njëfarë atmosfere ndryshe”, nënvizoi Gjevori.

Kurse Visar Idrizi nga “Viprint” tha se gjatë vizitës së tij në Europë dhe takimit me bizneset shqiptare atje, problemi kryesor jo vetëm te zviceranët dhe te gjermanët, por edhe te shqiptarët ishte kualiteti i produkteve të Kosovës.

“Pra edhe shqiptarët tanë nuk e konsumojshin produktin tonë, e njëjta vlen edhe për Kosovë, pra edhe te na në Kosovë nuk konsumohet produkti vendor, duhet me pyet pse, për shkak se produktet e Kosovës nuk janë mjaft kualitative përballë produkteve tjera, për shkak se marrëveshja e trashëguar e CEFTA-s ka dëmtuar shumë prodhimin”, tha Idrizi.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës e BE-së hyri në fuqi më 1 prill 2016.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë