Loading…

Muhaxhiri: VV’së do t’i kthehet si bumerang iniciativa për mocion ndaj Qeverisë Hoti

  • 07/08/2020 | 12:01

Muhaxhiri: VV’së do t’i kthehet si bumerang iniciativa për mocion ndaj Qeverisë Hoti

Analisti politik Artan Muhaxhiri po e konsideron të dështuar iniciativën e Vetëvendosjes për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Për më tepër, ai po e quan hipokrizi politike një veprim të tillë të një partie që e ka përjetuar të njëjtën gjë në kohë pandemie, njofton Klan Kosova.

“Ekzistojnë dy lloj mocionesh për shkarkime qeverish: kur paraprakisht sigurohen 61 vota dhe menjëherë ndërtohen aleancat për qeverinë e ardhshme, si dhe kur nuk sigurohen votat e domosdoshme ndërsa tentohet të krijohet një perceptim publik për potencialitetin e një plani të tillë dhe synohet prezencë e shtuar mediale”.

“Në këtë rast, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e ka përkrahjen opozitare të Partisë Demokratike të Kosovës, e as të ndonjërës prej partive të koalicionit qeverisës, prandaj nuk ka asnjë gjasë për sukses”.

Muhaxhiri për klankosova.tv tha se partia e Albin Kurtit do të përballet edhe me pasoja për mocion në pandemi.

“Iniciativa për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti në kohë pandemie është ide e cila do t’i kthehet si bumerang, sepse ky ishte njëri ndër argumentet kryesore të saj për kundërshtimin e mocionit ndaj Qeverisë Kurti, në muajin mars”.

“Në stadin aktual të pandemisë së COVID-19, kur numrat e përditshëm të të infektuarve dhe viktimave në Kosovë janë të pakrahasueshëm me periudhën e marsit, është hipokrizi politike që të kërkohet rrëzimi i një qeverie nga një subjekt i cili e kishte përjetuar të njëjtën situatë”.

Analisti Muhaxhiri mendon që tani është më së e nevojshme që partitë opozitare t’u dalin në ndihmë qytetarëve duke punuar paralel me institucionet. Dhe për Vetëvendosjen ka një propozim konkret.

“Prej partive opozitare pritet ofrimi i modeleve të reja dhe më të avancuara të sjelljeve politike, jo përsëritje e atyre ekzistueseve. Për shembull, Lëvizja VETËVENDOSJE! tash mund ta bëjë këtë me anë të Arben Vitisë, ish Ministrit të Shëndetësisë, për të cilin qytetarët kosovarë kishin vlerësim tejet pozitiv derisa ishte në detyrë”.

“Vitia mund të punojë paralelisht me institucionet shtetërore dhe – në emër të kontributit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – t’iu ofrojë kosovarëve informacione, plane dhe metoda komplementare për ballafaqim sa më të suksesshëm me pandeminë”.

“Në këtë gjendje të jashtëzakonshme, me shumë ankthe dhe pasiguri ekzistenciale, puna më e dobishme që mund ta bëjnë partitë politike është që të prezantojnë strategji të detajuara për përmirësimin e gjendjes. Të tjerat i kemi parë dhe i dimë shumë mirë”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë