Loading…

Mungesë e barnave në tregun kosovar

  • 09/11/2019 | 10:50

Mungesë e barnave në tregun kosovar

Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik të Kosovës vazhdon prej vitesh të mbetet problem, me të cilin ballafaqohen qytetarët. Si rrjedhojë, pacientët përballen me mungesë të barnave esenciale që i përdorin si terapi ditore. Tregu i vogël i Kosovës, kontrabanda dhe ‘taksa 100%’ ndikojnë në këtë fenomen, transmeton Gazeta Metro.


Aktualisht, ka mungesë në treg edhe të barnave, të cilat janë të regjistruara nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.

Farmacisti Shkumbin Jusufi, njëherësh kryesueses i komisionit për barnatore nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, thotë se tregu farmaceutik është në kaos të madh. Sipas tij, ka mungesë të madhe të barnave jetike në vend, duke shtuar se deri në 60 për qind të barnave të regjistruara nuk sillen në Kosovë nga kompanitë farmaceutike.

“Gjithçka varet nga distributori. Nëse dëshiron, e sjell mallin, në këtë rast ilaçet, e nëse nuk do, nuk e sjell. Askush nuk e penalizon, askush nuk e kontrollon. Nga 3800 forma të barnave të regjistruara në AKPM, rreth 40 për qind importohen, derisa rreth 60 për qind e barnave nuk importohen fare, askush nuk jep llogari për këtë punë. Pasojat janë mungesa e barnave në treg, kontrabanda, pastaj është farmacisti, i cili bie tmerrësisht në pozitë të keqe”, thotë Jusufi.

Edhe vetë qytetarët thonë se mungesa e barnave është evidente.

Ndërkaq, Arian Ahmeti nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e barnave ndodh për shkak se Kosova ka treg të vogël dhe asnjë institucion nuk e ka të drejtën ligjore ta detyrojë ndonjë kompani ta sjellë ilaçin në Kosovë.

Kompanitë distributore, sipas tij, Kosovën e shohin si treg të vogël, andaj edhe nuk shprehin interesim.

“E gjitha varet nga kompanitë farmaceutike. Tregu në Kosovë është i vogël dhe zakonisht kompanitë farmaceutike kërkojnë tregje të mëdha. Ne si AKPM, e kemi kontrollin e kualitetit, si dhe regjistrimin e barnave. Ne i regjistrojmë barnat si institucion, por ne dhe askush nuk mund t’i detyrojë kompanitë t’i sjellin barnat e caktuara në Kosovë, sepse nuk kemi bazë ligjore. Andaj edhe ndodhin mungesa. E gjitha varet nga plani i biznesit se si i bëjnë kompanitë farmaceutike”, shprehet Ahmeti.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës tash e një vit, ka vendosur taksë prej 100 për qind për të gjitha importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ku hyjnë edhe barnat.

Megjithëkëtë, profesionistë të fushës së farmaceutikës, thonë se shumica e barnave nga këto shtete tashmë janë zëvendësuar, por që Kosova vazhdon të ballafaqohet me problemin e barnave të regjistruara dhe atyre që tashmë janë të regjistruara, po që nuk importohen./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë