Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, komentoi krizën e vazhdueshme politike dhe situatën e krijuar rreth funksionimit të institucioneve, transmeton Gazeta Metro.
Mustafa deklaroi se deputetët duhet ta marrin përsipër përgjegjësinë që u takon dhe të kontribuojnë në rikthimin e procesit institucional brenda kornizës kushtetuese.
“Për këtë nevojitet veprimi i tyre dhe në situatën e dhënë edhe drejt Gjykatës Kushtetuese, me prioritet dhe urgjencë. Situata nuk duhet të rrëshqasë më tutje në zonën e kontestuar, përkatësisht jokushtetuese”, deklaroi ai.
Sipas Mustafës, zgjatja e ngërçit mund të ketë pasoja përtej sferës politike, duke prekur edhe stabilitetin ekonomik dhe atë shoqëror.
“Tolerimi i kësaj situate e shpie vendin në rreziqe të paparshikueshme dhe në përshkallzim të jostabilitetit politik, ekonomik e social, të cilin duhet evituar me veprim të përgjgjshëm të partive politike dhe angazhimin qytetar dhe intelektual.”, tha tutje Mustafa./gazetametro.net