Kriza aktuale energjetike e ktheu edhe një temë të shtatë vjetëve më parë. Është kryeministri Albin Kurti ai që po arsyetohet se gjendja do të ishte krejt ndryshe sikur të kryhej rindërtimi i termocentralit ‘Kosova A’, projekt për të cilin ishte interesuar kompania gjermane ‘Bilfinger’, ndërsa përkrahej edhe nga kancelarja Angela Merkel, transmeton Gazeta Metro.
Por, Isa Mustafa, që ishte shef qeverie në atë periudhe, e që tani akuzohet nga Kurti për dështim projekti, thotë se pala tjetër nuk ka prezantuar asnjëherë detaje konkrete, përveç disa slajdeve.
Veçse tjetër version po jep ish-ambasadori holandez, Robert Bosch, që thotë të jetë angazhuar personalisht në diskutime.
“Ne kemi shkuar bashkë me ambasadën gjermane te Mustafa, ua shpjeguam çdo gjë, thamë se vërtetë është opsioni më i mirë. Dhe nuk kemi dëgjuar asgjë më nga ajo, Bilfinger ka qenë shumë e zhgënjyer”, u shpreh Bosch për Klan Kosova.
Ani se nuk e kujton të ketë parë detaje të planit, Bosch vlerëson se Kosova e ka humbur një mundësi të mirë për investim me më pak para.
“Ishte e shtrenjtë, por shumë, shumë, shumë më pak e shtrenjtë sesa të ndërtohej një termocentral i ri, për gjysmë ndoshta, dhe do të mund të përfundohej shumë shpejt”, shtoi ish-ambasadori Bosch.
Në anën tjetër, Mustafa thotë se nuk i është prezantuar asnjë detaj financiar.
Mediumi ka kontaktuar edhe me kompaninë gjermane “Bilfinger”, e cila i është përgjigjur negativisht kërkesës për intervistë, pasi thotë se nuk flasin për këtë temë që i përket vitit 2015.