Loading…

Mustafa: Në garë për zgjedhjet lokale e nacionale do të jenë më të mirët e PDK’së

  • 18/10/2020 | 16:37

Mustafa: Në garë për zgjedhjet lokale e nacionale do të jenë më të mirët e PDK’së

Do të jenë më të mirët në garë, do të jemi të gjithë bashkë për qëllimin më fisnik të mundshëm – për demokracinë dhe për ngritjen e komunave e të shtetit tonë. Ka kohë që punohet e flitet për domosdonë e demokratizimit dhe të reformimit të subjekteve tona politike si hapin e parë dhe tepër të nevojshëm për reformimin e shoqërisë në tërësi. Zatën, pa një reformim të guximshëm, të thellë e të gjithanshëm të tyre, as që duhet pretenduar reformën aq të nevojshme të strukturës shtetërore e komunale të Republikës së Kosovës thotë kreu i PDK-së Qemajl Mustafa për rajonipress.


Qemajl Mustafa kryetar i degës së PDK-së në Gjilan edhe kësaj radhe flet guximshëm për të gjitha preokupimet që i ka Kosova dhe shoqëria e saj.

Edhe kësaj radhe Qemajl Mustafa angazhohet që në të gjitha garat partiake të fitojnë më të mirët.

Mustafa thotë se s’mund të bëjmë plantazhe të mira e frytdhënëse nga fidanishtet e dëmtuara e të stërkequra, apo jo?! “Hapja ndaj publikut të gjerë, atraktimi i kualitetit, sjellja e energjive të reja e para së gjithash, e ideve të reja e kreative, përherë është ndeshur me frenime e keqkuptime nga konjukturat pushtetmbajtëse e përfituese të subjekteve tona politike (dhe të çfarëdo organizimi tjetër publik). Paarsyeshëm, ku më shumë e ku më pak, ky proces, përherë shoqërohet me ngërçe, me hezitime e ndonjëherë edhe me fërkime të dukshme. Këtë e bëjnë, kryesisht ata, të cilët kanë gëzuar privilegje dhe janë strukturuar dhe etabluar mirë nëpër vite e nëpër mandate, që nga maja e strukturës së subjekteve politike e deri te nëndegët edhe më të largëta në terren. Secili proces zgjedhor deri këtu (pas 20 viteve të jetës së Partisë Demokratike të Kosovës) ka sjellur një shkallë më të lartë të hapjes, të freskimeve e të risive në parti por, tashmë pas shumë mandateve qeverisëse në nivelin qendror e lokal (herë e para në qeverisje e herë e dyta), partisë i ka lindur nevoja për ndryshime më rrënjësore si në rrafshin e saj programor ashtu edhe në rrafshin e strukturimit me kuadro të të gjitha prejardhjeve (profesionistë e politikaj të të gjitha profileve, të rinjë e të mesëm në moshë, gra e burra por, gjithnjë duke e ruajtur baraspeshën me kuadrot e mira që kanë bërë shumë rrugë e kontribute që nga fillimi i PDK e deri këtu, të cilat kuadro, e përfaqësojnë komponentën bazike të traditës së saj të mire, të idesë dhe luftës për lirinë, për shtetin dhe për demokracinë e Kosovës) shprehet Mustafa.

Mustafa mendon se PDK, me në krye liderin e saj, Kadri Veselin, ia ka dalur që përmbajtësisht, dukshëm dhe me plotë sukses ta finalizojë fazën e parë të kthesës (reformës) së saj përmes procesit të brendshëm zgjedhor 2019. “Pas hatrimeve të natyrshme (që paevitueshëm i sjell secili proces zgjedhor), PDK ka hy në fazën e dytë të konsolidimit e që është unifikimi dhe strukturimi profesional i saj si aspekt i domosdoshëm për ta bërë harmonizimin dhe edukimin e brendshëm të partisë sikur edhe për ta ndërtuar frontin e madh e të gjerë të punës si në nivelin nacional poashtu edhe në atë lokal” shprehet Mustafa.

Sipas tij edhe dega e PDK-së në Gjilan pikërisht është duke e finalizue këtë fazë përmes themelimit të komisioneve profesionale në degë, një numër i të cilave tashmë është kryer. “Po e bëjmë afrimin e kuadrove të spikatura të degës pranë kryesisë sepse tashmë është e njohur se, përmes një procesi zgjedhor me votë të lirë e të fshehtë, nuk i sjellim përherë të gjithë të mirët në majë të strukturës. Ata i ngjiten pastaj strukturës përmes trupave dhe mekanizmave profesionalë këshillëdhënës të degës e të qendrës. Koshiente për rrugën e rëndë nëpër të cilën ka kaluar kjo organizatë politike (rrënjët e së cilës shkojnë thellë e larg, deri te idea për çlirimin, për luftën, për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e tokave tona), koshiente për të arriturat e mëdha të shoqërisë së Kosovës përgjatë tri decenieve të fundit, në themel të të cilave është patjetër PDK si akteri kryesor por, sidomos koshente për lëshimet e gabimet, për ngecjet e devijimet që kanë ndodhur në këtë rrugëtim të gjatë e të rëndë, lideri i saj, Kadri Veseli në projektin reformues të PDK e ka spikatur dhe e ka vënë në plan të parë luftën e pakompromis kundër të keqes në parti dhe në shoqërinë e gjërë të Kosovës. Lufta pa kusht ndaj individëve dhe sidomos ndaj strukturave devijante (kriminale, të korruptuara dhe nepotiste) që u avancuan dhe pastaj edhe u pasuruan në kurriz të anëtarësisë së gjerë të PDK dhe në kurriz të qytetarit të thjeshtë të Kosovës është prioritet i lartë i liderit dhe i partisë” shton Mustafa.

Mustafa mendon se ky është veprim permanent dhe esencial për t`i çelur rrugë reformës në drejtësi që paraqet frymëmarrje dhe parakusht për zhvillimin e drejtë e të qëndrueshëm të të gjitha fushave e aktiviteteve të shoqërisë së Kosovës (ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, administratës, sigurisë, diplomacisë…)

“Në fazën e parë, kryetari Veseli këtë e bëri me guxim dhe elegancë duke i sjellur në kryesi më të mirët e duke i anashkaluar emrat e përfolur (të akuzuar qoftë edhe padrejtësisht nga një sistem plotësisht i devijuar i drejtësisë) si edhe duke mos i kandiduar këta të dytët, për deputetë në zgjedhjet nacionale të 6 Tetorit 2019. Ishte ky një hap tejet i pëlqyer nga anëtarësia e gjerë e PDK, nga populli i Kosovës dhe nga miqtë tanë tradicionalë si SHBA, vendet e Kuintit dhe të BE. PDK u bë model dhe avangardiste e vendosjes së standardeve të reja së pari në shtëpinë e saj, të cilin model domosdoshëm po e përcjellin edhe subjektet tjera në vend. Ajo që len për të dëshiruar në këtë fazë (e që është ngritur si shqetësim plotësisht i bazuar është mungesa totale e përfaqësimit të Gjilanit dhe Anamoravës në kryesinë e partisë në qendër. Janë lënë vende rezervë në kryesi dhe në departamentet profesionale, me çka, kjo anë do ta ketë patjetër përfaqësimin e denjë në krye të partisë dhe të shtetit sepse pasojat e së kundërtës, tashmë i kemi shijue që nga 2013 e këndej. Zvarritja e këtij përfaqësimi vetëm sa e frenon dhe e përkeqëson reformën në Anamoravë. Përgjatë 20 viteve të kaluara, PDK e Gjilanit dhe e Anamoravës, nuk e ka patur hisen meritore të përfaqësimit e të pushtetit qendror as në parti por as në institucione dhe si pasojë, degët e saj kanë degradue skajshëm në këtë anë të Kosovës” thotë Qemajl Mustafa.

“Thjeshtë, pushteti i degës në Gjilan është bartur dhe është koncentrue padrejtësisht te pak individë jashtë saj të cilët, e kanë materializue për nevojat e tyre familjare e fisnore por hiç më shumë dhe asnjëherë në dobi të degës e cila ka bërë shumë punë dhe i ka dhënë shumë kontribute PDK-së në qendër. Kjo qasje, plotësisht e gabuar, duhet të merr fund njëherë e përgjithmonë. Jemi dakorduar me liderin e partisë që kjo të ndodhë shpejtë dhe patjetër. Hisja meritore e pushtetit të degës, duhet të kthehet te forumet e degës, por assesi jashtë tyre. Vendimet për ndarjen e pushtetit të degës duhet t`i merr kryesia e degës bashkë me kryetarin, me nëndegët dhe me këshillin e saj drejtues. Vetëm kjo mënyrë e trajtimit të degës në Gjilan, të degëve në Anamoravë dhe kudo ku janë bërë padrejtësi dhe qasje asimetrike e ç’ekuilibruese, e kthen besimin e degëve te qendra e partisë si dhe besimin e secilit prej neve anëtarëve dhe aktivistëve te secili tjetër në strukturë dhe jashtë saj. Ne, anëtarësia dhe aktivistët e vërtetë, partinë e kemi konsiderue përherë si familjen tonë të madhe e cila qëllim të parë dhe të fundit e ka zhvillimin dhe demokratizimin e komunave dhe të shtetit tonë, duke i trajtuar meritueshëm individët, familjet, organizimet dhe bizneset e Kosovës” shprehet kreu i PDK-së në Gjilan.

Mustafa thotë se kjo frymë ka fillue dukshëm të rikthehet në parti dhe duhet të kthehet e plotë. “Vetëm besimi i anëtarësisë së gjerë në liderin e partisë dhe në lidershipin e saj, është garancë e sigurtë për masovizim, për shtrirje e për forcim të PDK në secilin cep të vendit deri në fitoret e saj për komunat e Kosovës dhe për Parlamentin e saj. PDK si opozitë e madhe që është, paralelisht po përgatitet për zgjedhjet e mundshme të parakohshme nacionale dhe për zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2021. Lideri i saj, z. Kadri Veseli po i viziton degët për t`i mbështetur ato në reformimin dhe shtrirjen e tyre në terren por, rëndësi të veçantë po i kushton sidomos sektorit privat të ekonomisë nga i cili burojnë thuaja gjitha të mirat materiale, kulturore e shpirtërore të vendit (punësimi masiv, qarkullimi i parasë, rritja dhe mbushja e buxhetit te shtetit e te komunave, investimet në krejt sektorët e jetës publike të vendit…).

Kush do të jetë kandidati për kryetar të Gjilanit?

“Ne në Gjilan, me kohë dhe larg para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, do ta bëjmë përcaktimin për kandidatin absolutisht më të mirë për kryetar të komunës dhe për listën e shkëlqyer të kandidatëve për Kuvendin e komunës. Kemi me qenë dukshëm më të dalluar edhe me kandidatin për kryetar, por edhe me individët për këshilltarë në KK. Kjo listë do të ketë emra me peshë nga e kaluara e ndritur e degës (ish këshilltarë të mirë në KK, drejtorë të mirë, menaxherë, zyrtarë dhe aktivistë të spikatur të degës) sikur që do të ketë edhe emra të ri nga të gjitha aktivitetet publike të komunës (nga politika, nga ekonomia, nga arsimi, nga shëndetësia, nga sporti, nga kultura, nga rinia e nga shoqëria civile e saj). Rëndësi të veçantë dega është duke i kushtuar konsolidimit të nëndegëve e bashkë me të masovizimit të degës. Po i kushtohet vëmendje ardhjeve të studentëve e të profesionistëve të rinjë në degë, të cilëve edhe do t’u takojë shumica e barrës së përgjegjësisë për reformën e mëtejme të partisë dhe të ngritjes së komunës e të shtetit tonë, poashtu. Fundja, dega e PDK në Gjilan (krahasuar me degët e subjekteve tjera në këtë komunë) e ka dëshmuar vehten përgjatë qeverisjes së saj 6 vjeçare me komunën përmes korrektësisë, përmes hapjes së plotë, përmes respektit të veçantë ndaj qytetarëve të saj, ndaj familjeve e ndaj bizneseve. Këtë referencë ne e kemi si avantazh të madh e të paarritshëm nga konkurrentët tanë” shton Mustafa.

LDK asnjëherë nuk e qeverisi komunën me ideal demokratik, zhvillimor e shtetndërtues

“Sa herë erdhi në krye të saj, ajo e politizoi, e stagnoi, e shpartalloi dhe tani së fundi po e bankroton pamëshirshëm edhe financiarisht. Të tjerët në konkurrencë (me gjithë respektin për ta), janë ose të vegjël me trup e të pamundur ose plotësisht të papërvojë në udhëheqje. Andaj, s’mbetet rrugë tjetër për qytetarinë e Gjilanit përveç se me u përcaktue për kandidatin e PDK për kryetar të komunës dhe për listën e saj të spikatur për Kuvendin e komunës. E vërteta e konfirmuar është se vetëm ne dijmë, duam dhe e kemi guximin me e marrë përgjegjësinë për me i ndreqë prishjet përhershme të LDK, dijmë me e stabilizue dhe me e përparue komunën. Vetëm ne dijmë me e qeverisë komunën me të gjithë dhe për të gjithë. Vetëm ne dijmë dhe e kemi kurajën me e kthye komunën plotësisht në pronësi e në qeverisje të qytetarit të saj, të cilit edhe i takon kjo pronësi. Vetëm me këtë qasje dhe duke e kthye besimin e plotë të qytetarëve te politika dhe institucionet tona, mund ti ndërtojmë, përparojmë dhe integrojmë komunat tona dhe shtetin tonë. Sa i përket kandidatit për kryetar, dega, bashkë me kryetarin Veseli, ende nuk ka marrë qëndrim. Pavarësisht përfoljeve rreth emrit tim, asgjë zyrtare nuk kemi në këtë drejtim. Unë e konsideroj veten në mesin e më të mirëve në degë, por plotësisht të barabartë me ta sa i përket hapësirës demokratike dhe shanseve që duhet t`i krijojmë bashkë në parti. E mira e kësaj pune është se, në degë (siç e thash) ka edhe disa emra të tjerë të spikatur që i kanë afinitetet, tashmë e kanë përvojën e duhur dhe do të duhej me pasë ambicie për t’u kandidue për kryetar të komunës. Dega, bashkë me qendrën, duhet me i dhënë mundësi dhe shans secilit që e ka këtë mundësi dhe gatishmëri. Me një diskutim plotësisht konstruktiv e demokratik brenda forumeve të degës dhe në bashkëpunim të ngushtë me qendrën, do ta bëjmë më të mirën e mundshme për degën, për komunën e Gjilanit dhe për shtetin e Kosovës. Përcaktimi i kryetarit Veseli dhe i udhëheqjes në qendër që PDK t`i ketë të shpallura para publikut kandidaturat për kryetarë të komunave deri në Mars të vitit 2021 dhe pastaj edhe listat e kandidatëve për asambletë komunale deri kah Qershori i këtij viti, është pëlqyer jashtëzakonisht shumë sikur nga anëtarësia e PDK poashtu edhe nga shoqëria e gjerë e komunave dhe e Kosovës. Unë personalisht dhe ne të gjithë në PDK, pas këtyre hapave të guximshëm reformues në parti, besojmë thellë në rikthimin e fuqishëm të PDK në qeverisjen e shumicës së komunave tona dhe të shtetit të Kosovës përkundër vështirësive, sfidave e pengesave të mëdha që ajo aktualisht i ka në rrugë. Fundja, nuk e thonë kot “vetëm detyrat e vështira janë detyra të mira”!. Kjo, len me u nënkuptue se detyrat e lehta i bën gjithkush ndërsa të rëndat e komplekset i bëjnë vetëm të veçantit, të dëshmuarit e të guximshmit” ka thënë Qemajl Mustafa.

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë