Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka rikonfirmuar se pa ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, edhe atë brenda muajit shkurt, liberalizimi i vizave mund të mos bëhet as në vitin 2017.
Përgjegjësinë për mbajtjen peng të qytetarëve ai ka thënë se e bartin deputetët të cilët po e pengojnë procesin.
Sipas kryeministrit Mustafa, lëvizja e lirë është në duart e deputetëve të opozitës, por, siç ka thënë ai, edhe të një numri të vogël të tyre nga partitë e pozitës, të cilët po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, shkruan Zëri.
Ndërkohë, duke folur rreth thirrjeve për ndërprerje të dialogut me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit, kryeministri ka thënë se izolimi pa alternativë nuk është e arritur dhe do të ndërpriste proceset integruese euroatlantike.
Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit është një tjetër qëllim, për të cilin, sipas kryeministrit Mustafa, Kosova do ta bëjë përpjekjen e saj maksimale për ta realizuar.
Duke folur për raundin e fundit të bisedimeve me Serbinë, ai ka thënë se ky takim ka pasur për synim dhe ka arritur që të ulë tensionet e krijuara së fundi pas provokimeve. /gazetametro.net.