Kryeministri Isa Mustafa ka lavdëruar Policinë e Kosovës, për punën e tyre, sidomos për rastet e fundit.
Ai përmes një publikimi në Facebook, ka thënë se Policia e Kosovës është një prej storieve të suksesshme të shtetit tonë, transmeton gazetametro.net.
Për këtë ai ka përmendur raportin e Transparency International ku Policia e Kosovës vlerësohet si më e mira e rajonit, si dhe arresti i pjestarëve të ISIS’it në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, të cilët po përgatisnin sulm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit në futboll, e cila do të ndeshej me Shqipërinë në Shkodër.
Policia e Kosoves, parakalim
“Brenda një jave, Policia jonë rezultoi të ketë besimin më të madh të qytetarëve në tërë rajonin, sipas raportit të Transparency International, si dhe ishte kryelajm i medieve botërore për parandalimin e suksesshëm të sulmeve terroriste në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Izrael”.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me organet e inteligjencës kosovare, si dhe në bashkëpunim me vendet në rajon, shmangu një tragjedi e cila mund të kishte pasoja të mëdha në njerëz dhe në stabilitetin e sigurinë e rajonit”.
“Andaj, përkundër disa vështirësive me të cilat po ballafaqohemi, Kosova jonë e dashur po shënon rezultate evidente në fuqizimin e shtetit, institucioneve dhe subjektivitetit ndërkombëtar”.
Mustafa ka thënë se Kosova është duke prosperuar në parametra real, dhe po punohet shumë që vendi të bëhet model për rajonin.
“Kosova sot, po avancon në çdo raport kredibil ndërkombëtar i cili bazohet në parametra real, e jo në percepcione dhe propagandë të motivuar nga faktorë të ndryshëm”.
“Po punojmë fuqishëm që edhe sektorët tjerë të arrijnë rezultate të njejta me sektorin e sigurisë duke u bërë model në rajon”. /gazetametro.net