Loading…

Mustafa tha se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik, PDK e VV thonë se do të mbesin në opozitë

  • 06/07/2020 | 12:24

Mustafa tha se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik, PDK e VV thonë se do të mbesin në opozitë

Propozimi i Gjykatës Speciale për ngritje të aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli u bë shkas i anulimit të takimit të paralajmëruar për 27 qershori në Washington në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e SHBA-ve.


E gjithë kjo ka bërë që situata politike në vend të marrë kahje tjetër, madje po theksohet se situata politike në vend është futur në një gjendje me shumë të panjohura.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ditë më parë përmes një statusi në Facebook tha se kjo situatë nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit.

Mustafa madje paralajmëroi që në ditët në vijim do të bisedojë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij.

Lidhur me këtë propozim të Mustafës, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë që nuk do të jenë pjesë e asnjë qeverie që formohet përkundër vullnetit qytetar.

Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu ka deklaruar për Telegrafin se kjo qeveri është ilegale dhe ilegjitime.

“Kjo qeveri është ilegale dhe ilegjitime. Vendi ka nevojë për një qeveri demokratike e me legjitimitet që vjen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë qeverie që formohet përkundër vullnetit qytetar. Të tjerët edhe mund të bashkohen sepse tashmë kanë qenë të bashkuar. Të ndara mund t’i kenë vetëm etapat e bashkimit të tyre në një koalicion përkundër vullnetit qytetar”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë për Telegrafin se qëndrimi i PDK-së mbetet ai i mëhershmi, vazhdojnë të jenë në opozitë.

Ditë më parë Bytyçi kishte theksuar se nuk është diskutuar për hyrje të PDK-së në qeveri.

“Partia Demokratike e Kosovës, është parti opozitare. Deri më tani, nuk është diskutuar kjo temë e hyrjes në qeveri, në asnjë nivel vendimmarrës të partisë. Çdo gjë që është duke u përfolur deri tani nëpër media, është vetëm në nivel të spekulimeve!”, kishte deklaruar Bytyçi.

Më 24 qershor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një propozim aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në propozim aktakuzën pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Menjëherë pas këtij njoftimi, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet, ai do të jap dorëheqje.

“Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, pati deklaruar Thaçi.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë