Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, drejtoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e saj në zbatimin e ligjeve dhe menaxhimin e parasë publike, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Mustafës, ekzekutivi po dështon në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga legjislacioni, ndërsa vonesat në respektimin e afateve ligjore po shndërrohen në një mënyrë të zakonshme të funksionimit të qeverisjes.
Ai tërheqi vërejtjen se një qasje e tillë cenon funksionimin institucional dhe dobëson zbatimin e rendit juridik në vend.
“Një praktikë e papranueshme dhe e rrezikshme për rendin juridik në Kosovë”, është shprehur Mustafa, duke rikujtuar se vendimet dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi janë obligative për Qeverinë dhe nuk mund të zbatohen sipas dëshirës së saj.
Në një prononcim për EO, deputeti opozitar kritikoi gjithashtu mënyrën se si Qeveria Kurti e menaxhon procesin buxhetor. Ai vuri në pah hendekun mes ambicieve të paraqitura gjatë hartimit të buxhetit dhe rezultateve konkrete që shihen gjatë zbatimit të tij.
“Për sa i përket buxhetit, kemi të bëjmë me një qeveri që është shumë e zëshme në fazën e propozimit të buxhetit, mirëpo pastaj është shumë e heshtur kur vjen koha për të dhënë përgjegjësi për zbatimin e buxhetit”, deklaroi Mustafa.
Sipas tij, madhësia e buxhetit nuk duhet të përdoret si tregues i vetëm i suksesit të qeverisjes, pasi qytetarët nuk përfitojnë nga shifrat e prezantuara në letër, por nga projektet dhe politikat që përkthehen në rezultate konkrete.
Mustafa theksoi se investimet kapitale dhe realizimi i projekteve të parapara janë ato që përcaktojnë ndikimin e vërtetë të buxhetit në jetën e qytetarëve.
“Pra, buxheti si dokument është një planifikim. Mund të vendosësh çfarëdo shifra në buxhet, por aty nuk i ndryshojnë jetën e qytetarit. Jeta e qytetarit ndryshohet kur zbatohen politika të duhura që rrjedhin edhe nga ai buxhet”, tha Mustafa./gazetametro.net