Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë qëndrimit të tij në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës, ku po merr pjesë në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimorë ka shfrytëzuar rastin të takojë edhe disa qytetarë nga Kosovë që jetojnë në Bosnje.
Ai, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook ka bërë me dije se ka takuar shoqatën e bashkatdhetarëve dhe ka treguar se çfarë ka biseduar me ta.
“Shkëmbyem pikëpamjet tona për punën, angazhimet, rezultatet dhe shqetësimet e tyre, si dhe për nevojën që sa më parë qytetarët e Kosovës dhe të Bosnjës të lëvizin lirshëm dhe pa ngarkesat e paarsyeshme që ekzistojnë aktualisht. Së bashku me bashkëkombësit tanë në Sarajevë, vizituam edhe Çarshinë si dhe disa prej bizneseve të vogla që ofrojnë shërbime dhe ushqime me kualitet shumë të lartë duke bërë emër shumë të mirë në Sarajevë”, ka shkruar Mustafa.
Për kryeministrin e vendit, diaspora kosovare kudo në botë, përfshirë komunitetin tonë në Sarajevë, është një pasuri shumë e çmueshme për Kosovën, për të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës, siç shkruan Mustafa do të rris edhe më tej përkrahjen dhe format e bashkëpunimit të afërt.
“Për Kosovën është fat i madh që e ka një Mërgatë të tillë. Respekt i gjithanshëm”, ka shkruar Mustafa në Facebook. /gazetametro.net