Loading…

Mustafa: Vjosës ia pamundësova që LDK’në ta bëjë nëndegë të VV’së, ia prisha një projekt të ulët

  • 06/02/2021 | 15:38

Mustafa: Vjosës ia pamundësova që LDK’në ta bëjë nëndegë të VV’së, ia prisha një projekt të ulët

Ajo çfarë donte Vjosa Osmami të bënte në Lidhjen Demokratike të Kosovës “ishte një çmenduri”, pasi donte “vazalitet” në raport me Vetëvendosjen, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Vjosës ia pamundësova që LDK-në ta bëjë nëndegë të Vetëvendosjes”, thotë Mustafa.

“Ia prisha një projekt të ulët”, vazhdon ai, duke e shpjeguar në këtë formë “acarimin” e Osmanit ndaj ish-kryetarit.

Osmani, në një intervistë për media, tha se kur flet Mustafa për të ajo nuk i merr parasysh, sepse janë të parëndësishme dhe kështu e “ruajmë higjienë mentale”.

Por, Mustafa insiston se Osmani shprehet kështu, meqë “është e acaruar” dhe “ka mbetur në VV si në Saharë”.

Ai ka edhe të tjera cilësime për Osmanin. E konsideron “të papjekur”.

Dhe kur ftohet të komentojë deklaratat e saj, thotë se pikërisht ato fjalë përshkruajnë dhe vërtetojnë “një lloj sjelljeje fëmijërore”.

Përkundër gjithçka ka ndodhur, Mustafa në këtë intervistë për Albanian Post, deklaron se Osmani, për të gjitha postet që sot mbanë, i falet atij.

“Ajo e di”, këmbëngulë Mustafa.

“Aty ku është sot si ud e Presidentit dhe dje, si Kryetare e Kuvendit, është falë meje, sepse unë ia kam nxjerrë ato pozita. Falë LDK-së”.

“Ndryshe pse atëherë strukej e nuk thoshte se nuk i pranojë këto pozita, pasi Kryetari s’ka garuar. Pse nuk e refuzonte kandidaturën për Kryeministre”.

Osmani në intervistën e saj të fundit në Klan Kosova, tha se Mustafa flet e shkruan, pasi “nuk ka guxim të matet para qytetarëve”.

Por, ish-kryeministri i Kosovës, thotë se për të garuar s’i mungon guximi, por motivi.

“Nuk kam garuar sepse nuk kam motiv të bëhem deputet dhe as Kryeministër. Kam qenë ministër, kryetar i Prishtinës, Kryeministër, disa ditë edhe Kryetar i Kuvendit”.

Për shkak të motivit të munguar Mustafa shton se “kam hapur rrugë për të tjerët”.

“Hapa rrugë edhe për të”, vazhdon Mustafa, por “ajo abuzoi me besimin”.

Sipas Mustafës tani po sulmohen vazhdimisht ata që janë “qëndrestarë” në LDK dhe ata që “luftojnë për interesa të LDK-së, për filozofinë politike të LDK-së”.

“Ata po sulmohen sot, sepse dihet qartë se nëse ata rrëzohen, shembet më lehtë LDK-ja. E këtë veç në ëndërr mund ta shohin”.

Këto janë zgjedhjet e treta me radhë që Isa Mustafa nuk kandidohet për kryeministër dhe nuk merr fare pjesë në zgjedhje si emër personal.

Ai vazhdon të qëndrojë në krye të partisë megjithatë.

Në zgjedhjet e fundit, nga LDK dhe Mustafa si kryetar ishte vendosur që Vjosa Osmani të ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani pati rezultat të mirë në zgjedhje. LDK rriti votën dhe humbi për pak nga Vetëvendosje.

Më pas, qëndrimet e Osmani më shumë pro Vetëvendosjes, sesa në favor të partisë së saj – meqë ajo besonte se LDK po bën gabim – çuan te largimi i saj nga pozita e nënkryetares dhe përfundimisht largimi nga partia.

Tash Osmani garon në listë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ka formuar edhe një iniciativë politike, ku slogan ka “Guximin”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë