Loading…

Nano flet nga jugu: Po e drejtoj vetë operacionin, zero tolerancë kush abuzon me detyrën, dënim maksimal për autorin  

  • 03/08/2022 | 15:56

Nano flet nga jugu: Po e drejtoj vetë operacionin, zero tolerancë kush abuzon me detyrën, dënim maksimal për autorin  

Një ditë pas tragjedisë së ndodhur ditën e djeshme,ku humbi jetën 7-vjeçarja e përplasur nga skafi, policia ka nisur një operacion në në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.


Kreu i policisë së Shtetit Gledis Nano në një video të regjistruar nga jugu ka thënë se nuk do të ketë tolerancë për asnjë punonjës policie i cili shkel apo neglizhon detyrën.

Të përfshira në operacion janë Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

Deklarata e plotë

Prej mëngjesit të sotëm, në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, ka nisur një operacion policor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Të përfshira në operacion: Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

Operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit.

Ky operacion drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, i cili ndodhet në Dhërmi, duke monitoruar zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë plan operacional.

Gjatë këtij operacioni, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcjellë edhe një mesazh për qytetarët:

“Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.

Dje, pas analizës së kryer nga grupi i inspektimit, kam marrë masë për shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të drejtuesve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, si persona përgjegjës, me neglizhencën e tyre, në moszbatimin e masave shtesë të urdhëruara po nga unë, disa ditë më parë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Ky inspektim do të vazhdojë, analiza do të vazhdojë dhe do të shtrihet edhe më tej.

Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”.

Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).

Operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar.

Ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet po iu çojnë njoftime pronarëve të këtyre mjeteve, për t’u paraqitur, duke qenë se operacioni do të vijojë deri në shoqërimin e të gjitha mjeteve lundruese, me qëllim verifikimin e tyre.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për denoncimet e bëra dhe i fton ata sërish që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të cenimit nga ana e mjeteve lundruese, të jetës, shëndetit dhe sigurisë së pushuesve.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë