Loading…
Ndëshkimet dhe konfiskimet rrisin të hyrat e ATK-së
  • 09/04/2019 | 14:07

Ndëshkimet dhe konfiskimet rrisin të hyrat e ATK-së

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nga data 1.1.2018 deri më 27.3.2019 nga shuma e mbledhur e borxheve ka arritur të grumbullojë 94,761,701.21 euro që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kjo shumë tejkalon mbi 11 milionë euro. “Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shuma e borxheve të mbledhura ishte 83,607,847.77 euro”, është thënë në përgjigjen e Zyrës për Informim të ATK-së për Epoka e re, transmeton Gazeta Metro.

Po sipas ATK-së, numri i rasteve të konfiskimeve nga xhirollogaritë përmes urdhërvjeljeve për persona fizikë, biznese individuale dhe ata juridikë ka shënuar rritje për 61 sosh.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) deri më 20 mars të këtij viti ka arritur të grumbullojë mbi 11 milionë euro më shumë të hyra sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Nga data 1. 1. 2018 deri më 27. 3. 2019 shuma e mbledhur e borxheve është 94,761,701.21 euro. Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shuma e borxheve të mbledhura ishte 83,607,847.77 euro”, është thënë në përgjigjen e Zyrës për Informim të ATK-së për gazetën “Epoka e re”.
Sa i përket shumës së mbledhur të borxheve, ATK-ja deri në fund të marsit të këtij viti ka mbledhur 96.88 për qind të borxheve në mënyrë të rregullt, kurse nga konfiskimet e xhirollogarive 3.12 për qind. “1.1.2018 deri më 27.3.2019 në mënyrë të rregullt është 91,814,297.50 euro apo 96.88 për qind dhe të konfiskuara nga xhirollogaritë përmes urdhërvjeljeve është 2,947,403.71 euro apo 3.12 për qind”, është thënë në përgjigjen e ATK-së për gazetën.
Po sipas ATK-së, numri i rasteve të konfiskimeve nga xhirollogaritë përmes urdhërvjeljeve për persona fizikë, biznese individuale dhe ata juridikë ka shënuar rritje për 61 sosh. “Nga data 1. 1. 2018 deri 27. 3. 2019 numri i rasteve që u është marrë borxhi nga xhirollogaritë janë 495 dhe vlera ka qenë 2,947,403.71 euro. Kurse borxhi i marrë nga xhirollogaritë nga data 1. 1. 2017 deri 27. 3. 2018 ka qenë 434 raste, me vlerë prej 4,964,883.57 eurosh”, është thënë në përgjigjen e ATK-së për gazetën.
Stoku i borxhit ndaj ATK-së ka pasur një rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Nga 342,370,201.69 euro sa ishte në janar të vitit 2018, në mars të 2019-s stoku ka regjistruar 342,370,201.69 euro borxh. “Stoku i borxhit më 1. 1. 2018 ka qenë 326,147,927.56 euro, kurse stoku i borxhit më 27. 3. 2019 është 342,370,201.69 euro”, theksohet në përgjigjen e ATK-së.
Ndërkaq lidhur me çështjen e hendekut tatimor, ATK-ja nuk ka ndonjë studim me anë të të cilit do të analizohej hendeku tatimor. “Në lidhje me këtë çështje, ATK-ja me kapacitetet e veta nuk ka bërë ndonjë studim apo analizë të mirëfilltë, meqenëse duhet një studim i thellë dhe gjithëpërfshirës. Në lidhje me këtë dukuri ekziston një raport i punuar nga një ekspert ndërkombëtar dhe i financuar nga Komisioni Evropian, i publikuar në nëntor 2017. Në këtë raport elaborohet edhe kjo pjesë e hendekut tatimor”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të ATK-së.
Bazuar në nenin 51 të Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, “ndëshkimet për mosdeklarim me kohë janë 5 për qind të tatimit të papaguar për secilin muaj apo pjesë të muajit për të cilin është vonuar, me një ndëshkim maksimal administrativ për pagesë prej 25-përqindësh”.

Ndërkaq sa i përket mbledhjes së tatimit, ATK-ja ka autorizime të shumta të cilat janë të parapara me ligjet tatimore, e ndër to janë: bllokimi i llogarive bankare dhe konfiskimi i mjeteve në to, si dhe bllokimi dhe konfiskimi i mjeteve të pritura nga klientët apo punëdhënësit tuaj.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ATK-ja, respektivisht Qeveria e Kosovës, duhet të jetë e njëtrajtshme si për bizneset ashtu edhe për obligimet që ka ndaj bizneseve. “Do të ishte mirë dhe do të duhej edhe qeveria ashtu si po merr masa çdo ditë për t’i mbledhur borxhet në të gjitha mënyrat e mundshme nga bizneset, t’i kryente obligimet e veta që i ka ndaj bizneseve të papaguara prej vitesh. Ndërsa kur bizneset kanë obligim vetëm për një ditë dhe një cent, dënohen dhe detyrohen të paguajnë ndëshkime. Më shumë është ndëshkimi sesa pagesa e borxhit”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se duhet të ndryshohet vendimi, me anë të të cilit bizneseve u rritet norma ndëshkimore. “Duhet të ndryshohet vendimi i Ministrisë së Financave, pra të verifikohet nëse ka mundësi biznesi ta kryejë obligimin, atëherë nëse s’ka mundësi do të duhej që ATK-ja ta mirëkuptojë biznesin. Po ashtu, edhe për qeverinë nëse nuk i kryen pagesat ndaj bizneseve të përdoren masat ndëshkimore”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se duhet të jenë më të ulëta normat ndëshkimore për bizneset në mënyrë që mos të cenohet ambienti biznesor.

Këshilltari për ekonomi i kryeministrit, Haki Shatri, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se normat ndëshkimore nga ATK-ja janë të larta. Sipas tij, bizneset mund të ndikojnë përmes odave të tyre që të ulet norma ndëshkimore në mënyrë që mos të rendohet të bërit biznes në Kosovë. “Me ligj janë të parapara normat ndëshkimore për ata që s’e përmbushin obligimin ligjor dhe nëse shkojnë përtej datës ndëshkohen dhe me kamata. Mendoj se është brenda rregullave ligjore kjo, por duket se ndëshkimi 25 për qind është i lartë pasi mund t’ua vështirësojë punën bizneseve”, ka thënë Shatri, duke shtuar se bizneset mund të ndikojnë në uljen e normave ndëshkimore përmes asociacioneve të tyre. “Do të ishte mirë që bizneset përmes asociacioneve të veta të kontaktojnë dhe të ndikojnë që të ulen normat ndëshkimore. Po ashtu, bizneset mund të na kontaktojnë edhe neve drejtpërdrejt”, është shprehur ai.

Një nga prodhuesit më të mëdhenj vendor nga “Meka Halal Food”, Burim Piraj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e të hyrave është lajm i mirë, mirëpo kjo nuk është kryekëput si rezultat i ATK-së, por si një rritje e punës legale të bizneseve dhe deklarimit vullnetar të TVSh-së dhe të taksave të tjera. “Mendoj se niveli i ekonomisë gri është ende shumë i lartë dhe ka hapësirë për një mbledhje edhe më të madhe të të hyrave sesa që është arritur deri më tani. Karshi ligjit duhet të jenë të barabartë të gjithë. Falja e borxheve është e padrejtë dhe i dekurajon kompanitë të cilat i paguajnë detyrimet e shtetit me përpikëri. Prandaj lehtësimet duhet të bëhen me ligje duke i përfshirë të gjithë që janë pjesë e ekonomisë së vendit pa marrë parasysh nëse janë prodhues apo ofrojnë shërbime, apo edhe janë kompani tregtare”, ka deklaruar ai.
Sa iu përket ndëshkimeve të ATK-së, Piraj ka thënë se Kosova duhet ta marrë për bazë modelin e ekonomive më të avancuara. “Mendoj se ne jemi ekonomi shumë e vogël, me të ardhura vjetore të cilat janë afër gjashtë miliardë. Të ardhura të ngjashme mund të ketë edhe një klub i futbollit ose universitetet e famshme, e mos të flasim për korporata të ndryshme. Andaj, ligjet tona duhet të jenë konform ligjeve të shteteve të mëdha. Nëse në Gjermani ka një ligj të ngjashëm, atëherë ky ligj mendoj se është i mirë edhe për neve. Përndryshe, nëse fillojmë të krijojmë ligje tona, jam i bindur se do të bëjmë gabime të mëdha. Mosdeklarimi dhe mospagesa e tatimit tregojnë shumë për performacën e një kompanie. Shteti duhet ta ketë të drejtën e penalizmit, natyrisht që masa duhet të jetë, siç thashë dhe më parë, në kuadër të normave të vendeve më të madha dhe ekonomive më të vjetra”, ka thënë Piraj.

Ndëshkimet tatimore bazuar në domenin e ATK-së

Bazuar në nenin 51 të Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ndëshkimet për mos deklarim me kohë janë 5 për qind të tatimit të papaguar për secilin muaj apo pjesë të muajit për të cilin është vonuar, me një ndëshkim maksimal administrativ për pagesë prej 25-përqindësh si dhe ndëshkim administrativ për mospagesë me kohë prej një përqindësh të obligimit tatimor për secilin muaj apo pjesë të muajit për të cilën ajo pagesë është vonuar deri në maksimum prej 12 muajsh. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë