Serbët janë ndezur zjarr, pas deklaratave të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit se Kosova dhe Shqipëria mund të bashkohen në një shtet, nëse BE i mbyll dyert Ballkanit Perëndimor. Kanë shkuar aq larg sa mediat në Beograd, këto deklarata po i cilësojnë si kërcënim me luftë, përcjellë gazetametro.net.
“Gjithsej 24 orë pasi që Edi Rama kërcënoi se nuk përjashtohet bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, u paraqit edhe Hashim Thaçi, i cili porositi nga Prishtina se gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një shtet nëse mbyllet dera e BE”, shkruajnë mediet elektronike serbe.
“Retorika e cekur”, për ministrin serb Vulin, “do të thotë se Tirana dhe Prishtina kanë thënë qartë se qëllimi i tyre është Shqipëria e Madhe”, që, sipas tij, “mund të zbatohet vetëm me një luftë të madhe.
“E dini, kur merrni reagimet aq të buta nga BE, në të cilat gati shprehet mirëkuptim për zemërimin e Edi Ramës, atëherë është pritur që të lajmërohet edhe Thaçi. Ai është krijuar si terrorist, në luftë, dhe nuk mund të pritet prej tij diçka tjetër, por nëse Brukseli vazhdon që të reagojë aq butë në kërcënim me luftë ballkanike, atëherë detyrimisht duhet të kuptojë se gjithë përgjegjësia për çdo gjë çfarë do të ndodhë në këto hapësira është e tij”, ka kërcënuar Vulin dhe ka vazhduar me ton të njëjtë: “Përgjegjësia më nuk është te Shqipëria, e as te Kosova, sepse ne e dimë se ata gjithmonë e kanë ëndërruar Shqipërinë e Madhe, dhe se do të bëjnë çmos që të arrihet deri te ajo, nëse nuk ndalen, nëse nuk dënohen para se të tentojnë. Edhe Prishtina edhe Tirana kanë thënë qartë se çfarë është qëllimi i tyre. Përgjegjësia është tani te Brukseli”, është shfryrë ministri i punës serb.
Nga ana tjetër, për atë se a është vërtet e mundur lufta e re ballkanike, analisti ushtarak serb Vlade Radulovic thotë se është e vërtet se çdo tentim të krijimit të Shqipërisë së Madhe do të kishte shkaktuar konflikte, por se rreziku nga konflikti i ri është minimal.
“Çdo tentim i krijimit të Shqipërisë së Madhe patjetër që do të kishte shkaktuar konflikte në rajon, me atë se ai do të kishte kaluar në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo vetëm tregon se e gjithë ideja është gjeneruar nga Tirana, por asnjë vend në rajon nuk do të kishte lejuar që të copëtohen pjesët e territorit të vet pa luftë. Nga ana tjetër, vështirë se NATO do të lejonte konflikt në këto hapësira, si në mes të anëtareve të veta (Shqipëria, Mali i Zi, Greqia), ashtu edhe me Serbinë.
“Mendoj se janë në pyetje vetëm deklaratat e zyrtarëve shqiptarë dhe kosovarë për shkak të mbledhjes së poenave politikë”, pretendon Radulovic. /gazetametro.net