Kryeparlamentari i Ukrainës të enjten ka folur me tone të pajtimit ndaj Polonisë si pasojë e vrasjeve masive që i ka bërë Ukraina ndaj polakëve në Luftën e Dytë Botërore. Kjo çështje ka qenë pengesë në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë një vizite në parlamentin polak Ruslan Stefanchuk tha për deputetët polak se jeta njerëzore ka vlerë të njëjtë pavarësisht nacionalitetit, racës, gjinisë apo religjionit. Mes tjerash ai shtoi, “Me këtë konsideratë ne do të bashkëpunojmë me ju shokët tanë të nderuar polak. Ne do ta pranojmë të vërtetën pavarësisht se sa pa kompromis mund të duket ajo”.
Fjalët e Stefanchuk dalluan me atë të ambasadorit ukrainas në Varshavë i cili më herët kishte reaguar me zemërim ndaj kërkesave polake për kërkim falje.
Polonia shënon këtë vit 80 vjetorin e masakrës së viteve 1943-44, ku 100,000 polak janë masakruar nga nacionalistët ukrainas në Volhynia dhe rajone tjera të cilat atëbotë ishin pjesë e Polonisë lindore ndërsa tani janë pjesë e Ukrainës.
Këtë ngjarje Polonia e konsideron si gjenocid ndërsa në ato evente si pjesë e kundërpërgjigjes polake janë vrarë edhe 15,000 ukrainas.
Stefanchuk ka folur në parlamentin polak pas një vizite në Varshavë. Polonia ka qenë njëri nga aleatët kryesorë dhe ndihmuesit më të mëdhenj të Ukrainës që nga fillimi i luftës së saj me Rusinë.
Stefanchuk falënderoi Poloninë për mbështetjen si dhe ofroi simpati për familjet e polakëve të cilat kanë humbur anëtarë në masakrën e Volhynia. Ai po ashtu sugjeroi krijimin e një grupi të përbashkët për identifikimin dhe nderimin e viktimave polake të varrosura në Ukrainë./gazetametro.net