Loading…

Ndotja e ajrit, ‘vrasësi i padukshëm’

  • 28/08/2018 | 11:27

Ndotja e ajrit, ‘vrasësi i padukshëm’

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ndotjes së ajrit mund të shkaktojë dëmtime të aspektit njohës, sipas një studimi të fundit. Shkencëtarët besojnë se ndikimi negativ rritet me kalimin e moshës dhe prek më së shumti meshkujt e paarsimuar.


Përgjatë 4 viteve, aftësitë matematikore dhe folëse të rreth 20 mijë njerëzve në Kinë u monitoruan nga një studim amerikano-kinez. Studiuesit besojnë se rezultatet kanë rëndësi globale, pasi më shumë se 80 për qind e popullsive urbane nëpër botë jetojnë mes niveleve të pasigurta të ndotjes së ajrit.

E përshkruar edhe si “vrasësi i padukshëm”, ndotja e ajrit shkakton afro 7 milionë vdekje të parakohshme në vit në mbarë botën, shifër kjo e përllogaritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Kemi prova se efektet e ndotjes së ajrit në aftësitë verbale bëhen më të theksuara me kalimin e moshës së njerëzve, veçanërisht për meshkujt më pak të arsimuar”, thuhet në studimin e publikuar gjatë së hënës në punimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave. Ndotja e ajrit rrit gjithashtu rrezikun e sëmundjeve degjenerative, si “Alcajmeri” apo forma të tjera të demencës, thuhet më tej në studim.

Ekspozimi ndaj niveleve të larta të ndotjes së ajrit “mund t’u shkaktojë çdokujt reduktimin e nivelit arsimor me një vit…gjë që është shumë e rëndë”, thotë njëri prej bashkautorëve të studimit, Xi Chen i shkollës së Shëndetit Publik në Yale.

Edhe studime të së kaluarës dilnin në konkluzionin se ndotja e ajrit ka ndikim negativ në aftësitë njohëse të studentëve.

Në studimin e fundit, gjithsesi, shkencëtarët kanë testuar njerëz të të dyja gjinive, nga mosha 10 vjeç e më sipër, mes viteve 2010 dhe 2014, përmes 24 pyetjeve matematikore standarde dhe 34 pyetjeve për njohje fjalësh.

Një prej arsyeve, që i bën studiuesit të sugjerojnë se meshkujt e rritur dhe me më pak arsimim ndikohen më rëndë nga ekspozimi kronik ndaj ndotjes së ajrit, është se ata zakonisht punojnë në ambiente të hapura dhe bëjnë punë krahu.

Studimi thotë gjithashtu se, pavarësisht se gjetjet janë specifikisht në Kinë, ai mund të hedhë dritë mbi vende të tjera të zhvilluara dhe me ndotje të lartë të ajrit. Autorët theksojnë se 98 për qind e qyteteve me më shumë se 100 mijë banorë, në vendet me të ardhura të mesme e të ulëta, mund të mos përmbushin normat e OBSH-së për cilësinë e ajrit./tch

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë