Loading…

Ndryshimi erdhi, por nuk u bë!

  • Nga

  • ARLIND IMERI

  • 25/09/2020 | 11:17

Ndryshimi erdhi, por nuk u bë!

Ashtu siç po priste pothuajse shumica e qytetarëve të Kosovës, që në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 të ndodhte ndryshimi, ai erdhi. Përfundimisht populli kosovar kishte vendosur që kësaj radhe të bënte një ndryshim të madh, kishte vendosur që ti jepte fund rotacionit të partive të cilat tash e njëzet vite nuk largoheshin dot nga pushteti.

Shkruan: Arlind Imeri

Fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje! – ashtu kishte vendosur sovrani – siç i referohen popullit politikanët tanë.

Fakti ishte se të gjithë e dëshironin një rezultat të tillë, përfshirë shoqërinë civile, gazetar, analist e qe besa edhe disa nga televizionet më të mëdha në vend po e përkrahnin një kthesë kaq të madhe në të cilën po përgatitej të futej Kosova. Përkrahja ishte masive!

Mirëpo ndryshimi po haste në vështirësi që në ditët e para pas shpalljes së rezultateve! Ndryshimi i cili tanimë kishte një emër, e ai ishte Vetëvendosje!, nuk po gjente dot partner për të bërë koalicionin e “Shpresës”.

Pas shumë përpjekjeve, koalicioni u arrit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila pranoi të futej në bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje!.

Ndryshimin e kësaj lëvizje po e prisnin shumë punë, dhe për ironinë e fatit, atë po e priste edhe lufta me një virus i cili në atë kohë ishte akoma një mister, përveç emrit të tij të cilin kishin vendosur ta quanin COVID-19 dhe ajo çfarë dihej për të ishte se po merrte shumë jetë njerëzish.

Por kjo nuk ishte sfida e vetme e ndryshimit, ai si sfidë tjetër kishte edhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, e cila sipas Presidentit Thaçi do të nënshkruhej në shtëpinë e bardhë dhe atë në prezencën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës DonaldTrump.

Me qenë se shefi i qeverisë në atë kohë, pra Albin Kurti kishte frikë e cila i ishte futur në palcë që Trump përmes të dërguarit të tij special për Kosovën, ambasadorin RichardGrenell po duan ta copëtojnë Kosovën, ai filloj të futej në një rrugë qorre, e cila të vetmen dalje e kishte prishjen e Qeverisë Kurti. Ashtu ndodhi, në kohë pandemie, kur situata po menaxhohej relativisht mirë në krahasim me vendet fqinje, Albini vendosi ta “lëshoj bajrakun”, pra ta prishë Qeverinë dhe të etiketohej si qeveria më jetëshkurtër në historinë 20 vjeçare të Kosovës prej vetëm 50 ditësh.

Çfarë pamë për 50 ditë?

Përgjatë kohës së qeverisjes së Albin Kurtit pamë shumëçka! Pamë se si Kosova kishte filluar të merrte frymë ndryshe, pamë se si bordet drejtuese të ndërmarrjeve publike kishin filluar të çliroheshin nga militant të partive të ndryshme, pamë se si po shkarkoheshin nga detyra shumë zyrtar shtetëror të cilët me vite të tëra kishin abuzuar me paranë publike, dhe shumëçka tjetër.

Por ajo çka ne nuk kishim parë, dhe e cila do të shpërfaqej pasi qeveria Kurti të largohej do të ishte edhe më abuzive!
Pas largimit të Kurtit nga Qeveria, do të shihnim se si Ministri i Financave Besnik Bislimi, do të vendoste fshehurazi që Kompanisë turke e cila ka me koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, LIMAK Kosovo, ti mundësonte tërheqjen e garancisë bankare prej 5 milion eurosh, por Bislimi nuk ishte mjaftuar me këtë, ai kishte vendosur që kompanisë LIMAK ti mundësonte shtyrjen e pagesës së taksës së koncesionit për vitin 2019 dhe 2020, e vlera e këtyre mjeteve që do të shtyheshin kapte shumën prej 10 milion eurosh.

Por ky nuk ishte i vetmi skandal i Qeverisë Kurti!

Doli se Kurti duke refuzuar të shkonte në Shtëpinë e Bardhë, kishte bllokuar miliarda Dollarë të cilat SHBA po planifikonte ti investonte në Kosovë.

Ideja e tij se në Shtëpinë e Bardhë kishte thika të cilat po i mbante në dorë Trump dhe Grenell e që për qëllim kishin copëtimin e Kosovës, doli të jetë e pavërtetë.

Kurti gjithashtu po mbante të bllokuar zbatimin e marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore Prishtinë Beograd, dhe gjatë një takimi që kisha me disa nga përfaqësuesit e Qeverisë Kurti, ata tani më po shfaqnin edhe shenja të paranojës, duke akuzuar secilin person i cili kishte të bënte direkt apo indirekt me atë marrëveshje, se po punonin në favor të Serbisë.

Dhe krejt në fund, edhe pse pandemia COVID-19 po menaxhohej mirë në aspektin teknik, prapaskenat zbuluan se brenda Ministrisë së Shëndetësisë kishte abuzime të mëdha, fryrje çmimesh, favorizime të kompanive të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje! dhe shume keqpërdorime të tjera brenda këtij institucioni.

Si përfundim, ndryshimi që aq shumë e deshi populli ynë erdhi, por nuk u bë asnjëherë, sepse show-et mediatike nuk arritën të mbulonin dështimet e kësaj qeverie me vetëm 50 ditë jetë.

(Autori Arlind Imeri, është opinionist nga diaspora)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë