Një video interesante, në të cilën tregohen lokacionet e përafërta ku shtetet e fuqishme mbajnë bombat atomike, po qarkullon në internet. Shqetësues është fakti se disa prej kokave bërthamore janë të vendosura pranë qyteteve më të mëdha të Shteteve të Bashkuara dhe Europës, transmeton Gazeta Metro.
Metropole të mëdha me miliona banorë në Izrael, Rusi, Kinë, Indi dhe Kore Veriore janë fare pranë lokacioneve të bombave bërthamore, të cilat kanë fuqinë të zhdukin nga faqja e dheut miliona jetë njerëzish.
Edhe pse lokacionet e përafërta janë të njohura, megjithatë nuk mund të dihet saktësisht se ku mbahen 15 mijë e 600 koka bërthamore të shpërndara në gjithë botën.
“Bombat nukleare janë të tmerrshme për dy arsye: sepse bëjnë dëm të tmerrshëm dhe sepse nuk e dimë ku janë të vendosura”, thuhet në videon e publikuar më poshtë.
Gjëja më shqetësuese nga të gjitha është zbulimi se disa koka nukleare janë humbur. Përgjatë historisë, Shtetet e Bashkuara kanë humbur rreth 11 armë të ndryshme nukleare, kurse Rusia ka humbur deri në 40 sosh.
SHBA-ja është shteti i vetëm në botë që mban bomba atomike edhe në shtete të tjera përveç territorit të saj si në Gjermani, Itali dhe Holandë.
Sa i përket afërsisë me Kosovën, vendet më të afërta me vendin tonë ku mbahen armët e shkatërrimit në masë janë Venecia e Milano në Itali si dhe Këlni në Gjermani./gazetametro.net