Loading…

Ne dhe Amerika

  • Nga

  • FLAMUR BEQIRI

  • 20/06/2020 | 15:02

Ne dhe Amerika

Qysh me presidentin Wilson nisë aleanca Shqiptaro-Amerikane, pa të cilën Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot. Parimi i vetëvendosjes, njëra nga 14 pikat bazë të planit të Presidentit Wilson, sipas të cilit kufijtë e shteteve nuk mund të caktoheshin mbi bazën e politikës nga fuqitë e mëdha i kanë garantuar Shqipërisë hartën e sotme gjeografike.

Shkruan: Flamur Beqiri

Kjo aleancë ka vazhduar me presidentin Warren Harding, i cili emëroi ambasadorin e parë Amerikan në Shqipëri, Ulusses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik me 4 Dhjetor 1922, ndërsa Shqipëria ishtë një komb i preferuar deri me 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet në krye me Enver Hoxhën, Shqipëria për 52 vjet me radhë i shkëputi lidhjet me Amerikën! Për çudi, u lidh me të gjithë ata të cilët punonin kundër interesave shqiptare, deri sa Amerikën e shpalli armikun numër një të Shqipërisë.

Dhe, deri sa Shqipëria vazhdonte aleancat proletare, gjatë luftës se dytë botërore, një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës kishin dalur në mbështetje të fashistëve Italian dhe Gjerman, pavarësisht nga rrethanat politike, me të vetmin synim që përfundimisht të ndaheshin nga Serbia! Pushteti komunist në Shqipëri nuk ju ndihmoi në këtë proces, përkundrazi, në anën tjetër lidhte aleanca dhe bënte marrëveshje sekrete, me Jugosllavët, në dëm të shqiptarëve të Kosovës, ku, luftën e përbashkët kundër fashizmit, komunistët shqiptarë dhe jugosllavë e shfrytëzuan si mburojë për luftimin dhe eliminimin e patriotëve dhe nacionalistëve shqiptarë të Kosovës të cilët ishin problem për që të dy palët.

Me gjithë vrasjet, persekutimet, kampet e punës, linçimet publike e forma të ndryshme të dhunës, pushteti popullor në Shqipëri në emër të luftës kundër imperializmit Amerikan, nuk arriti dot ta eliminoj shpirtin proAmerikan të shqiptarëve dhe me 15 Mars të vitit 1991 u rivendosen marrëdhëniet Shqiptaro – Amerikane, ndërsa me 21 qershor 1991 sekretari amerikan i shtetit James Baker do të vizitonte Tiranën! Shqiptarët shtinë në funksion traditën, dhe vepruan konkretisht nën maksimën “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”, dhe organizuan një pritje madhështore në sheshin Skëndërbej.

Në anën tjetër shqiptare, deri sa Shqipëria rindërtonte relacionet me Amerikën, Kosova vlonte, regjimi serb kishte krijuar një atmosferë koloniale të mbështetur në një forcë brutale ushtarake, policore dhe paramilitare. Ku e drejta për ekzistencë, e shqiptarëve të Kosovës venitej para këtyre forcave.

Deri sa emigracioni shqiptar në SHBA ka një traditë të organizimit të vet që nga Prilli i vitit 1912 kur u formua nga Fan Noli dhe Faik Konica, shoqata gjithëshqiptare “VATRA”, e cila kishte luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike, kulturore dhe shoqërore për komunitetin shqiptar të këtij emigracioni në Amerikë, para dhe pas luftës se dytë botërore, ishte dr. Ibrahim Rugova ai i cili në mënyrën më të mirë të mundshme shfrytëzoi këtë mundësi, në ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës dhe ishte ai që e kishte kuptuar qysh moti se ishte ekzistenciale lidhja dhe shpërndarja e informatës me botën në veçanti me SHBA-të.

E gjithë kjo lidhje me SHBA’të kurorëzohet me veprime me peshë për kohën!

Nisë me, George H. Bush i vjetër, me udhëheqjen e tij të vendosur dhe vizionare, protagonist në rënien e Murit të Berlinit dhe diktaturave komuniste në Evropë, vendosi linjën e kuqe për Serbinë karshi Kosovës.

Pasohet nga Bill Clinton, i vendosur për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës, me 24 Mars 1999, fillojnë sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë e Serbi. Sulme, të cilat zgjatën 78 ditë dhe rezultuan me çlirimin e Kosovës! Në bazë të një studimi të BBC mbi shpenzimet e luftës në Kosovë thuhet se shpenzimet luftarake të aleancës kanë arritur vlerën 30 miliardë Dollarë, ndërsa vetëm SHBA-të shpenzuan 16 miliardë!

Dhe përfundimisht, qershia mbi tortë, George W Bush, në vizitën e tij, 480 minutëshe në Tiranë në Qershor të vitit 2007 thot: “Enough is enough-Kosovo is got to be Independent” ose “Çka është boll, është boll – Kosova duhet të jetë e Pavarur”!

Shqipëria , me 4 Prill 2009 u bë vend anëtar në NATO me të drejta të plota , krejt kjo me mbështetje të fortë të Departamentit Amerikan të Shtetit !

Pra, me ndihmën e madhe të SHBA, shqiptarët kudo që janë në trojet e tyre në Ballkan, janë faktor paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti.

Andaj ju lutem, dyshimet e hedhura në administratën e SHBA’ve, kryesisht nga ata të cilët, anej e knej kufirit, jo rastësisht, projektuan edhe thika e shpata mbi Kosovën në shtëpitë lara-lara, nuk qëndrojnë dhe faktet e përmendura më lartë dëshmojnë të kundërtën.

(Autori Flamur Beqiri, është në Kryesi të LDK’së në Prishtinë)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë