Bekim Çollaku, shef i stafit në Zyrën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dialogu me Serbinë në të ardhmen do të udhëhiqet nga Presidenti, por aty do të ketë edhe ndryshime të tjera, nga formati i deritashëm.
Ai në një intervistë për Gazeta Express, ka thënë se pas formimit të institucioneve do të krijohet një ekip i unitetit për të qenë pjesë e këtij dialogu, dhe gjithashtu do të kërkohet që përveç BE’së që është si lehtësuese e këtij procesi, në ndërmjetësim të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfundimi i këtij procesi, sipas Çollakut do të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
“E rëndësishme është që Presidenti tashmë ka paralajmëruar publikisht qëllimin e tij për formimin e grupit të unitetit për t’u bërë pjesë e procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë faze përfundimtare. Natyrisht, se pari duhet te themelohen institucionet e reja dhe pastaj menjëherë do te pasojnë veprimet konkrete për themelimin e grupit te unitetit”.
“Tani, kjo çështje është qartë që negociatat e ndërmjetësuara nga BE zhvillohen në nivelin më të lartë, pra në nivel të presidentëve. Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se i pari i shtetit është presidenti dhe ai përfaqëson unitetin e qytetareve. Prandaj, është e natyrshme të thuhet se Presidenti do të udhëheqë punën e grupit të unitetit, ku secili anëtar do të mund të japë kontributin e tij apo te saj”.
Sa i përket ndërmjetësimit, Çollaku ka thënë se ende asgjë nuk ka ndryshuar, por Kosova do të kërkojë përfshirjen edhe të SHBA’së.
“Për momentin asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket rolit ndërmjetësues apo lehtësues. Pra, vazhdon të mbetet BE-ja, ajo që e lehtëson këtë proces. Mirëpo, ne kemi kërkuar që në këtë fazë të ndjeshme përfundimtare të përfshihen në mënyrë direkte edhe SHBA-ja. Se a do të ndodhë kështu, mbetet të shihet në vazhdim të procesit. Ndërsa, nuk mund të paragjykojmë përfshirjen apo mospërfshirjen e Rusisë apo të ndonjë shteti tjetër në këtë proces. Kjo në masë të madhe do të varet nga rëndësia dhe implikimet e këtij procesi në arenën ndërkombëtare”.