Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nën drejtimin e ministrit Blerim Gashani, ka dhënë tender për furnizim me veshmbathje për nevojat e logjistikës, në vlerë të 2,580.00 euro, shkruan Gazeta Metro.
Nga sakot verore te palltot dimërore, Ministria e Kulturës ka vendosur të rregullojë në detaje paraqitjen e stafit të saj të protokollit, në emër të “dinjitetit institucional”.
Përveç pjesës bazë të furnizimit, dokumenti i tenderit parasheh në detaje edhe kërkesat teknike dhe standardet që duhet të përmbushen nga operatori ekonomik fitues.
Sipas përshkrimit të tenderit, furnizimi ka të bëjë me uniforma dhe këpucë formale për 5 persona të angazhuar në protokoll shtetëror, konkretisht 4 shoferë dhe 1 zyrtar të logjistikës, me qëllim sigurimin e një paraqitjeje dinjitoze, përfaqësimit institucional dhe përmbushjes së standardeve të etikës zyrtare.

Për secilin prej tyre është paraparë një komplet i plotë veror dhe dimëror.
Kompleti veror përfshin një kostum formal (sakë dhe pantallona), dy këmisha klasike, një me mëngë të gjata dhe një me mëngë të shkurtra, një kravatë zyrtare dhe një palë këpucë formale lëkure. Kostumet duhet të jenë të prodhuara nga përzierje leshi dhe poliesteri me cilësi premium, me peshë prej 220 deri në 260 gram për metër katror, me prerje klasike elegante sipas modelit protokollar dhe në ngjyra si e zezë, blu e errët ose gri e errët.
Këmishat kërkohen të jenë 100 për qind pambuk, me cilësi të lartë, ndërsa e gjithë veshmbathja duhet të ketë qepje profesionale dhe të përshtatet sipas masës individuale të secilit përfitues.
Ndërkohë, kompleti dimëror përfshin një kostum dimëror (sakë dhe pantallona) si dhe një pallto klasike dimërore. Materiali duhet të ketë përmbajtje leshi për t’i përballuar temperaturat e ulëta, ndërsa palltoja duhet të jetë elegante, me gjatësi mbi gjunjë, rezistente ndaj të ftohtit dhe e harmonizuar në ngjyrë me kostumin.

Pjesë e rëndësishme e specifikimeve janë edhe këpucët, të cilat duhet të jenë prej lëkure natyrale me cilësi premium, në ngjyrë të zezë ose kafe të errët, me model klasik formal të tipit Oxford ose Derby, me shollë rezistente kundër rrëshqitjes dhe të përshtatshme për përdorim të zgjatur.
Tenderi parasheh që të gjitha artikujt të jenë të rinj dhe të papërdorur, ndërsa matjet për secilin person duhet të realizohen individualisht pas nënshkrimit të kontratës. Operatorët ekonomikë janë të obliguar të paraqesin mostra materiali për verifikim të cilësisë, ndërsa standardi i kërkuar është cilësi premium në përputhje me protokollin shtetëror.

Afati për dorëzimin e të gjitha produkteve është i përcaktuar në maksimum 15 ditë nga nënshkrimi i kontratës, çka nënkupton një periudhë të shkurtër për përgatitjen dhe furnizimin e plotë të garderobës.
Sa i përket garancisë, operatori ekonomik duhet të ofrojë minimumi 12 muaj garanci për të gjitha veshmbathjet, duke mbuluar çdo defekt të mundshëm prodhimi. Për këtë, kërkohet një deklaratë e nënshkruar dhe e vulosur, e cila përfshin titullin e aktivitetit të prokurimit dhe numrin përkatës.
Në specifikime përfshihet edhe mundësia që në uniforma të vendoset logo ose stemë institucionale në mënyrë diskrete, duke ruajtur karakterin formal të veshjes./gazetametro.net
Ministria e Gashanit i vesh deri në brekë 5 persona për protokollin, 4 mijë euro tender
‘Magjia vizuale’ e Gashanit të VV’së, tender 7 mijë euro veç për aparat për fotografime