Në rajonin e Ferizajt gjatë vitit 2019 kanë ndodhur 3 vrasje aq sa kishin ndodhur edhe në vitin 2018, rritje të veprave penale ka pasur te lëndimet e rënda trupore për 41.7% në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018, përderisa vjedhjet kanë pësuar rënie për 18.5% në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018, shkruan Gazeta Metro.
Policia Rajonale e Ferizajt sot ka paraqitur të dhënat për punën e bërë gjatë vitit 2019 në pesë komunat e rajonit të Ferizajt, sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë vitit që lam pas, si dhe planifikimet që ky institucion i ka për vitin 2020.
Drejtori i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kolonel Emin Beqiri, theksoi se përveç sukseseve të arritura gjatë vitit 2019 ky institucion është ballafaquar me mungesë të stafit dhe mjeteve motorrike.
“Tani ne jemi në fazën e realizimit të raportit vjetorë për të nxjerrë përfundimet për planifikim dhe organizim të mëtutjeshëm për të rritur aktivitetet në parandalimin e veprave penale, rritjen e shkallës së zbatueshmërisë, gjetjen e rrugës për thellim dhe bashkëpunim më të mirë me qytetarët dhe me të gjitha institucionet, me qëllim të ngritjes së ndjenjës për siguri më të madhe individuale po ashtu edhe kolektive. Edhe në vitin 2019 jemi ballafaquar me vështërsitë si mungesa e burimeve njerëzore dhe mjeteve motorrike, prandaj nga ne kërkohet një menaxhim adekuat në rrethanat e krijuara” tha Beqiri
Kolonel Beqiri tutje theksoi se vitin që lam pas janë realizuar projekte madhore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Policore, e në vazhdimsi sipas Beqirit Policia Rajonale e Ferizajt është në realizim edhe të disa projekteve që do të ndikojnë ndjeshëm në ngritjen e standartit të punës dhe në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.
Në bazë të statistikave të publikuara, ka pasur rënie të rasteve të paraqitura për 2.7% nga 4 mijë e 343 raste sa kanë qenë të raportuara në vitin 2018, në vitin 2019 janë raportuar vetë 4 mijë 226 raste.
Viti 2018 ka qenë për 3% më efektiv për sa i përket zbulueshmërisë së rasteve, në vitin 2018 janë zbuluar 81% e rasteve, përderisa në vitin 2019 vetëm 77.9% të rasteve
Prej disa veprave penale më serioze janë rritur lëndimet e rënda trupore për 41.7%, kurse janë zvogluar vjedhjet për 18.5%./gazetametro.net