Në mbledhjen e sotshme Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, IBM, në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Ndërtimi i tyre do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm, u bë e ditur në këtë mbledhje.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Ferat Shala tha se ky vendim është nxjerrë pas kërkesës nga IBM-i me datë 31 gusht të këtij viti.
“Departamenti i shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor më datë 31.8 2016 në mënyrë zyrtare dhe përmes shkresës së protokollit ka pranuar nga MPB kërkesën për inicimin e procedurave të shpronësimit për pronat të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM mes republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë. Pikat kufitare Bërnjak, zona kadastrale Banjë, komuna Zubin Potok, pika kufitare Mendare, zona kadastrale Merdarë komuna Podujevë, pika kufitare Mutivodë, zona kadastrale Dabishevc komuna Prishtinë. Departamenti i shpronësimit pasi e ka konstatuar përmbushjen e dispozitave ligjor nga neni 4.8 dhe 45 i Ligjit për Shpronësim të Pronës së paluajtshme kërkon nga qeveria e Kosovës që të nxjerr vendim ekzekutiv me ët cilin miratohet vendimi për shqyrtimin e kërkesës për shpronësim të interesit publik të pronarëve të paluajtshëm dhe zotëruesve të interesit të cilët preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IMB mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë ai.
Me këtë rast, udhëheqësja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, tha se ky proces është duke u zhvilluar me efikasitet nga MMPH dhe MPB dhe ka njoftuar se ndërtimi do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm.
“Vetëm desha të them që ky proces që po zhvillohet me një efikasitet edhe nga MMPH si dhe MPB po ndihmon në përshpejtimin e nisjes së ndërtimit të këtyre ndërtesave të përhershme në tri pikë kalimet kufitare ku Kosova është nikoqire në kuadër të marrëveshjes së IBM-së dhe mund të ju njoftoj se sipas planit në janar fillojnë ndërtimet dhe kjo ka qenë e mundur vetëm falë përgatitjeve, përshpejtimeve dhe angazhimeve të plota të këtyre dy ministrive deh qeverisë në përgjithësi”, tha Tahiri.