Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ditën e djeshme triumfoi në finale kundër garueses spanjolle, Perez Cabana, në kategorinë e 63 kilogramëve. Ajo me fitoren e saj i solli Kosovës edhe medaljen e dytë të artë në Lojërat Mesdhetare, transmeton Gazeta Metro.
Pas kampiones olimpike, Distria Krasniqi, e cila një ditë më herët siguroi medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, ishte radha për Fazliun që mposhti në finale spanjollen, Perez Cabana.
Në momentin e ceremonisë së ndarjes të medaljeve në ekran u shfaqën flamujt e shteteve të cilët kishin siguruar medalje dhe ishte flamuri i Kosovës, i cili ishte më së larti.
Më poshtë se flamuri i Kosovës u radhitën ai i Spanjës, Algjerisë dhe Kroacisë.
Kujtojmë që në radhitjen momentale të shteteve me më shumti medalje në xhudo është Spanja, e cila ka fituar dy medalje të arta, një të argjendtë dhe dy të bronztë.
Një medalje më pak të fituar e ka Kosova, të cilës i mungon vetëm medalja e argjendtë për dallim nga Spanja, por në këtë renditje e ka lënë prapa Serbinë. /gazetametro.net
Renditja e shteteve me më shumti medalje në xhudo, Kosova lë prapa Serbinë