Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në të. Ai ka kritikuar BE’në se nuk e ka mbajtur fjalën për liberalizim vizash për kosovarët, edhe pse gjatë kohës sa ishin në opozitë Konjufca dhe Vetëvendosje akuzonin qeveritë paraprake për mos përmbushje të kritereve, shkruan Gazeta Metro.
Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, Konjufca ka thënë se në 6 vjetët që kur është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ka ngecur për shkaqe të ngecjes së vullnetit politik.
“Jemi plotësisht të bindur se integrimi nuk është proces i njëanshëm, por është i bazuar në procesin reciprok. Ne e mendojmë BE-në si një sistem të vlerave të demokracisë drejtësisë e sigurisë që duhet të e ndërtojmë këtu në Kosovë dhe vetëm kështu transformohemi duke u bërë Bashkim Evropian. Por as BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pika më kritike e BE-së ka të bëjë me zgjerimin. U bënë 8 vite kur shteti i fundit iu bashkua Be-së dhe nuk mbaj mend që procesi i zgjerimit është në krizë sikur sot. Bashkimi Evropian nuk i ka dalë zot Kosovës në një premtim e bëhet fjalë për liberalizimin e vizave. Regjimi i vizave ende mbetet në fuqi për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Përndryshe, Lëvizja Vetëvendosje për një kohë të gjatë i ka akuzuar të gjitha qeveritë paraprake për mospërmbushje të kritereve duke e shmangur BE-në nga përgjegjësia, ndërsa sot Kryeparlamentari Konjufca dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Qeveria po ia hedhin fajin BE-së dhe jo mospërmbushjes së kritereve. /gazetametro.net