Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, në sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka përmendur filmin “Home” si arritje e kulturës kosovare.
Në sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur më 27 Shkurt të këtij viti, dhe nën prezencën e diplomatëve më të lartë botëror, Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit ka folur për suksesin e filmit “HOME” si shembull pozitiv i arritjeve kulturore të Kosovës.
“Unë do të doja të theksoj suksesin e filmit britaniko-kosovar Home i cili fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Akademinë Britanike të Filmit dhe Arteve Televizive (BAFTA), i pari për Kosovën. Pas nominimit të filmit ‘Shok’ në Oscar vitin e kaluar, është e qartë se sektori kulturor i Kosovës po forcohet nga viti në vit.”, tha Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Përmendja e filmit ‘HOME’ si shembull i zhvillimit pozitiv të Kosovës në këtë sesion të OKB-së e përforcon imazhin e shtetit para diplomatëve dhe vendimmarrësve botëror, dhe njëkohësisht e sjell mesazhin e bashkëndjesisë me refugjatët nën vëmendjen e këtyre diplomatëve.
‘HOME’, është film i metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të Daniel Mulloy, është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorët Jack O’Connel dhe Holliday Grainger në rolet kryesore. Filmi është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe përmes bashkëpunimit të afërt të ekipeve nga këto dy vende me mbështetje nga Ekipi e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shumë përkrahës të tjerë. /gazetametro.net