Sot në Tiranë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Onufri, u promovua ribotimi i romanit të suksesshëm, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nga autori Adil Olluri.
Olluri është njëri prej shkrimtarëve më të njohur të brezit të ri të letërsisë shqipe, veçanërisht në Kosovë. Ai sot, në Tiranë nën organizimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, promovoi ribotimin e romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, botuar nga Shtëpia Botuese Onufri. E veçanta stilistike e romanit është se është shkruar i tëri me subjekt në vetën e dytë.
Më poshtë ju sjellim dy vlerësime të rëndësishme kritike për veprën e Ollurit:
Ky roman nuk është sprovë pikënisjeje, por është një arritje e madhe, një fakt letrar-kulturor jo vetëm në jetën e autorit, por edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe.
Rrëfimi në vetë ne dytë mundëson rindërtimin e përditshmërisë me secilën hollësi domethënëse të saj nëpërmjet kritikës, autoironisë, gjykimit të vetvetes si qenie shoqërore e etnike në formën më të imët ku përzihet pafuqia, pafajësia, interesi i rëndomtë prej njeriu familjar me detyra konkrete më së pari ndaj vajzës, bashkëshortes, babait. Po ashtu, në plojën e madhe të Kosovës nuk u thirrën në altarin e sprovës e të sakrifikimit vetëm jetët njerëzore, trupat e gjallë si të tillë, por vetëdija, ndërgjegjja, personaliteti i njerëzve që do të mbeteshin gjallë, e, ndërgjegjja e përftuar gjatë e pas eksodit, vetëdija, morali, kujtesa dhe rrëfimi i asaj të shkuare të afërt, mund të bëhej me realizëm artistik e qartësi intelektuale vetëm nëpërmjet vetë së dytë, kur e nxjerr nga vetja vetveten e fshehur, e ndriçon me të metat dhe përmasat e saj duke i thënë vetes: po, ti i ke bërë këto, ke pasur frikë, je fshehur në dhomën tënde, ke pasur frikë dhe ta lëshosh ujin për ta larë tualetin tënd ku porsa urinove, ke pasur frikë ta ndizje dritën elektrike, etj, etj.
Romani i Adil Ollurit është një dritare e madhe e hapur për të parë qartësisht veten dhe historinë tonë.
– Virion Graçi, shkrimtar
Falë vetes së dytë (tepër të vështirë), Adil Olluri ka mënjanuar tendencën bajate të ekzgjerimit dhe patetikës heroike, duke i lënë vend projektimit të llahtarës, disiplinimit të saj të pamundshëm në një udhëtim eksod me trenin e vdekjes. E vetmja heroikë është të presësh vdekjen në mënyrë dinjitoze, njerëzore, në një orë të ligë kur nënvetëdija të kthen së prapthi, si astar xhakete. Atëherë nuk kuptohet më, a je në realitet apo në kllapinë alegorike të vdekjes. Kufiri është i padallueshëm: makthi uniform i kufirit midis. Njeriu ka vdekur dhe është ringjallur nga hiri i frikës. Dhe kjo përvojë përcillet në roman pa efekte që do ta dëmtonte organicitetin natyral të veprës.
– Agron Tufa, shkrimtar