Loading…

Në vend të epitetit “heronj”, paga meritore për punë

  • Nga

  • SEJDI REXHEPI

  • 28/08/2020 | 11:23

Në vend të epitetit “heronj”, paga  meritore për punë

Qe nga dhënia e lajmit të parë për qytetarin “zero” të sëmurë nga virusi Covid 19, në Kosovë njerëzit më të “vlerësuar”, madje deri në nivelin “e heronjve”, padilemë janë personeli shëndetësor, të cilëve sot ju thurën lëvdata për punën e palodhshme si dhe sakrificën deri në “heroizëm”.


Shkruan Sejdi Rexhepi

Mu për këtë, të njëjtëve në shenjë “mirënjohje”, qeveria me programin emergjent ju ka akordua një kompensim mujor shtesë në shumë prej 300€. Madje, pa i analizuar mundësit buxhetore dhe çrregullimet që mund të krijohen në sistemin e pagave në Sektorin Publik, ka propozime “kuturu” (lexo me hamendje) që pagesat e tyre të rriten deri 5 – 6 fish krahas pagës bazë të tanishme. Nëse vazhdon kështu pandemia, nuk është çudi qe dikush edhe mund të propozoj që ndonjërin nga profesionistët e “infektives” të shpallët edhe si “legjendar”.

Epitetet si “heronj”, “gardian të shëndetit”, “luftëtar në vijën e parë të frontit”, etj., janë vetëm disa nga vlerësimet qe i dëgjojmë për çdo ditë për të njëjtit personel shëndetësorë, që deri para pak kohësh, për mos me saktësua, para pandemisë, shumë prej tyre u cilësuan si “papunëtor”, “të papërgjegjshëm”, “të pandërgjegjshëm”, “të korruptuar” dhe “të padijshëm”, përkatësisht “joprofesional”. Përkundër kësaj, vlerësime të larta iu ipeshin personelit mjekësor të vendeve fqinje, ku dallimet në “cilësi” të shërbimeve ishin të “pakrahasueshme”. Si pasojë, për shërbime të njëjta, për vite me radhë u harxhuan dhjetëra milion, të cilat u derdhen në rajon e më gjerë, kurse në infrastrukturën e shëndetësisë Kosovare u investua pak, personeli i saj shëndetësor nuk u vlerësua si duhet, kurse kompensimit i tyre meritor për punën e bërë, mbeti vetëm si një premtim elektoral, ose si premtim emocional i rastit.

Çka ndërrojë tash në etiken, karakterin dhe cilësinë e punës së personelit të njëjtë shëndetësor, dhe si është e mundur që kaq shpejt të njëjtit u bënë punëtor të vyeshëm, të përgjegjshëm, të ndërgjegjshëm, jo të korruptuar dhe të dijshëm, përkatësisht profesional? A janë këto vlerësime reale dhe të sinqerta, apo janë vlerësime të “zorit”, siç veprojmë zakonisht në cilësimet e tona “sa herë që i kemi punët keq”?  Pse dikur në vitet e 1990-ta mësimdhënësit e shkollave dhe të universitetin i quajtëm heronj të kohës, kurse sot kujt ti teket, po të njëjtit i cilësojnë me vlerësime më të ulëta, si “të padijshëm”, “të korruptuar”, “të papërgjegjshëm”? Pse dikur por dhe sot, qytetarët tonë në diasporë, i quajmë heronj vetëm kur kemi nevojë për ta, … Pse, ?…

Pra, pyetja është e thjeshtë! Pse duhet ta quajmë heronj dikë vetëm kur jemi në “zor” dhe kur kemi nevojë për te? Besimtari, falet dhe i përulet Zotit çdo ditë, dhe ka dashnin dhe frikën prej Tij përherë. Pse kemi nevojë që të përkujtojmë Zotin vetëm kur dridhet toka, kur vërshon uji apo zjarri, pse vetëm kur kemi nevojë për të, pra kur kemi frikë, ose thjeshtë kur jeni “n’zor”.

Dikur në sistemin e kaluar kishim, heronjtë e punës socialiste, heronjtë e punës vullnetare, heronjtë korrje fshirjeve të grurit, heronjtë e punës në miniera, heronj të rinisë socialiste, etj. Shtrohet pyetja, sot që jetojmë në kushtet e ekonomisë së tregut, ku oferta dhe kërkesa e determinojnë vlerën e çdo malli, duke përfshi këtu edhe të punës, pse kemi nevojë për cilësime siç janë ‘heronj”, “gardian të shëndetit”, “luftëtar në vijën e parë të frontit”, etj. Nëse kemi pranuar një detyrë pune, atëherë kemi edhe përgjegjësi, andaj në vend të epitetit “sakrificë” dhe “heroizëm” kemi përgjegjësinë për detyrat e punës dhe çmimin për punën e kryer. Nëse dikush punon me orar të zgjatur të punës, punon ditëve të pushimit, ditëve të festave, ose për shkak të urgjencave të paraqitura punon më shumë se orari normal i punës, nuk ka nevojë për epitete, por duhet të paguhet për punën shtesë sipas kritereve mirë të përcaktuara. Ashtu siç duhet “ndëshkuar” refuzimi apo mos kryerja e detyrave dhe përgjegjësive për të cilat ka nënshkruar kontratë.

Nuk kanë nevojë personeli mjekësor për lëmosh “të zorit” prej 300€ për “tu shpërblye” për punën e pakursyer që vërtet janë duke e bërë. Por, punë të pakursyer kanë bërë edhe në të kaluarën. Në momentin kur kanë pranuar punën e mjekut, infermierit, etj., ata kanë pranuar edhe përgjegjësinë e punës edhe në rrethanë normale edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Personeli shëndetësor është për të ju dal në ndihmë të sëmurëve të çfarëdo natyre, dhe është shumë normale që vazhdimisht shoqërohen me rrezik në punë, dhe për ta nuk ka rrethanë më pak ose më shumë të rrezikshme. Ka angazhim në punë me orar normal dhe angazhim jashtë orarit të rregullt. Rreziku për ta është permanent, andaj mirënjohja dhe shpërblimi duhet të jetë permanent, si për punë të rregullt, si për angazhim jashtë orarit të rregullt. Duhet bërë një dallim në mes të detyrave dhe përgjegjësive të punës, dhe punës me orar të rregullt dhe të jashtëzakonshëm. Secila duhet të ketë çmimin përkatësisht kompensimin e vetë. Por çmimin e vetë duhet ta ketë edhe rreziku në punë, që për personelin mjekësor është i vazhdueshëm. Ashtu siç është për zjarrfikësit, policinë, ushtarin, etj. Veç sa për analogji, një njësit i zjarrfikësve disa muaj mund të mos ballafaqohet me zjarre, por që mjafton vetëm një ditë (një fatkeqësi) që të rrezikoj jetën i tërë ekipi. Ngjashëm është edhe me ushtarin profesionist të FSK-së, i cili ndoshta mund te dal në pension pa pasur nevojë me shkua në luftë, por rreziku për të është i nënkuptuar për çdo ditë, siç është për policin i cili në çdo hap të tij mund ballafaqohet me probleme të ndryshme të sigurisë. Nuk është normale që një ushtar profesionist i FSK-së të shpërblehet për rrezik në profesion vetëm kur do të shkoj në luftë, apo polici kur do të mbroj rendin në mënyrë aktive.

Ligji për Paga në Sektorin Publik, i shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetues, nuk i ka definuar në mënyrë të drejtë faktorët përcaktues të kompensimit për punë, prandaj ka krijuar pabarazi dhe pakënaqësi brenda vetë sektorëve, duke përfshi këtu edhe shëndetësinë. Për mos me ndodh kjo, duhet të hartohet një Ligj i ri i pagave, nga ekipi i ekspertëve, të cilët duhet të marrin parasysh të gjithë faktorët që përcaktojnë madhësinë e kompensimit për një punë të profesionit të caktuar, duke përfshi këtu edhe rrezikun. Ai nuk guxon të hartohet në nguti e as nën presion, e aq më pak nën premtimet populiste elektorale. Ligjin për Paga duhet ta bëjnë ekipi multidisiplinar i ekspertëve, dhe gjatë aprovimit nuk duhet “të shkarravitet” nga grupet parlamentare, në stilin “hajt pak” dhe “kush po lobon ma shumë”.

Në ndërkohë deri sa të hartohet dhe aprovohet ligji i ri, shumëkush do të dëmtohet në kompensim për punën e bërë, tu përfshi këtu edhe profesionistët mjekësor, por në fund të fundit, në të ardhmen për të gjithë do të jetë më mirë, me hartimin e një ligj të zbatueshëm në aspektin funksional dhe të qëndrueshëm në aspektin buxhetor.

(Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë