Loading…

Nënkalimet e shndërruara në WC publike

  • 26/03/2017 | 12:37

Nënkalimet e shndërruara në WC publike

Mosmirëmbajtja e nënkalimeve dhe dëmtimi i ndriçimit bënë që qytetarët të mos i shfrytëzojnë fare dhe të kalojnë rrugën edhe aty ku nuk ka vendkalim për këmbësorë.

Në një gjendje të tillë është edhe nënkalimi tek xhamia e Llapit, i cili tash e disa vite nuk përdoret nga askush.

E arsye për këtë sipas banorit të kësaj lagje, Ruzhdi Uka, është se nuk ka siguri në atë nënkalim. Ai thotë se aty është sikurse WC publike.

“Nuk e shfrytëzojnë se nuk ka siguri më së pari aty, aty hyjnë sikur në WC publike, qesin bërllok nuk e pastron kurrkush, ndonjëherë vinë e pastrojnë këta të pastrimit, e lajnë të nesërmen e bëjnë ashtu prapë”, tha ai, duke thënë se si pasojë, nxënësit duhet të kalojnë rrugën sipër dhe të rrezikohen nga veturat.

Edhe Arbresh Aliu tha se ambienti në atë nënkalim është shumë i papastër.

“Ajri është shumë i keq, ambienti shumë i papastër. E kanë pastruar disa herë, por njerëzit sërish po e bëjnë të papastër, gjuajnë bërllok”, tha ai.

Ndërsa, udhëheqësi i sektorit për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri, tha se ky nënkalim në masë të madhe keqpërdoret prej atyre që kryejnë nevoja fiziologjike e deri tek dëmtimi i ndriçimit.

Sipas tij, këta dy komponentë janë ata që e vënë jashtë funksionit këtë nënkalim.

“Nënkalimi te xhamia e Llapit shfrytëzohet më pak për shkak se ai në masë të madhe keqpërdoret. Nuk e dimë se kush. Ne vazhdimisht mundohemi të mbajmë pastërtinë në ato hapësira, por keqpërdorimet në atë nënkalim janë shumë të mëdha. Prej atyre që kryejnë nevoja fiziologjike deri tek dëmtimi i ndriçimit që është në vazhdimësi dhe këto janë ato dy elementet më të këqija të cilat i shkaktojnë probleme dhe e qesin jashtë funksionit këtë nënkalim. Ani pse është shumë i nevojshëm për arsye se është shkolla “Model” aty e ndërtuar shumë afër dhe ka nevojë për lëvizje, qoftë të nxënësve që e vijojnë mësimin në atë shkollë, qoftë qytetarët e lagjes se Vranjevcit të cilët kalojnë në pjesën tjetër të qytetit dhe duhet të kalojnë këmbë hekurudhën dhe rrugën dhe nënkalimi është në masë të vogël i shfrytëzuar”, tha ai.

Kurse, dy nënkalimet tjera në Komunën e Prishtinës, ai në lagjen Dardania dhe në lagjen Kalabria, sipas udhëheqësit të sektorit për shërbime publike në komunën e Prishtinës, Habib Qorri, përdorën më shumë, pasi që janë më të mirëmbajtur.

“Në pjesën e qytetit i kemi të instaluara, apo të ndërtuara tri nënkalime, një është tek xhamia e Llapit dhe dy janë në lagjen Kalabria, një është ajo që lidh Dardaninë me qytezën Pejton që është njëherë prej nënkalimeve më të mira dhe që është i dhënë në shfrytëzim me koncesion dhe ai shfrytëzohet në kapacitet shumë të madh dhe me kushte shumë komode. Kurse edhe në lagjen Kalabria, edhe këta shfrytëzohen për shkak se kanë kushte më të mira, kanë gjerësi, kanë hapësira janë në mirëmbajtje të rregullt”, tha ai.

Duke mos i shfrytëzuar këto nënkalime, shumë qytetarë kalojnë rrugën edhe aty ku nuk është i caktuar vendkalimi për këmbësorë. Sipas Policisë së Kosovës, nëse ata shihen nga zyrtarët policorë, edhe mund të gjobiten.

Rreshter Bujar Gashi nga Policia rrugore, për KosovaPress ka bërë të ditur se sipas ligjit në fuqi, ka dënime për këmbësorët të cilët nuk shfrytëzojnë nënkalimet dhe kalojnë rrugën. Gjithashtu, ai bëri të ditur se ka pasur edhe dënime për qytetarët të cilët kanë bërë këto veprime.

KosovaPress ka provuar të marrë informacion lidhur me shfrytëzimin e nënkalimeve për tërë Kosovën nga Ministria e Infrastrukturës dhe koston e shpenzimeve për ndërtimin e tyre, por që në përgjigjen e kthyer nga zyra për media e kësaj ministrie, thuhet se nuk mund të përcaktohet me saktësi, për shkak se një pjesë e madhe e tyre janë ndërtuar në periudhën 1970-1990.

“Numri dhe kostoja e nënkalimeve dhe mbikalimeve nuk mund të përcaktohet me saktësi, për shkak se një pjesë e madhe e tyre janë ndërtuar në periudhën 1970-1990. Ndërsa për nënkalimet dhe mbikalimet e ndërtuara në periudhën e pasluftës, nuk mund të japim të dhëna të sakta për arsye se disa nga ato projekte janë realizuar nga organizata ndërkombëtare që kanë vepruar pas luftës në Kosovë dhe Komunat”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim në Ministrinë e Infrastrukturës.

Lexo edhe:

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë