Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë ashtu sikurse edhe viteve të tjera, edhe këtë vit janë dakorduar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.
Kjo është bërë sot me nënshkrimin e dy udhëheqësve të ministrive, Kujtim Shalës dhe Mirela Kumbaro- Furxhi.
Përmes një njoftimi për media nga Ministria e Kulturës në Kosovës njoftohet se ky kalendar, ka për qëllim njohjen dhe promovimin e ndërsjellët të kulturës shqipe, nëpërmjet realizimit të aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe shkëmbimeve të ndërsjella kulturore të institucioneve kulturës së dyja vendeve.
Me këtë nënshkrim siç edhe thuhet në njoftim dy shtetet thellojnë bashkëpunimin kulturor, dhe njëkohësisht forcojnë hapësirën e përbashkët kulturore, që është qëllim i këtij Kalendari, transmeton Gazeta Metro.
Kalendari i Përbashkët Kulturor, është rezultat i Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sivjet, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor, parashihen një sërë aktivitetesh të përbashkëta, të cilat do të realizohen në Shqipëri dhe Kosovë, sipas programit dhe kalendarit të paraparë, në fushën e teatrit, bibliotekave, librit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore e pamore, të drejtave të autorit. /gazetametro.net