Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se nesër, e martë, në orën 13.00h në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar seanca fillestare kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje klientit të tij Frashër Krasniqi, dhe aktivistëve të tjerë Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.
Gashi tutje ka bërë të ditur se Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për vepren penale: Kryerja e veprës penale terroriste nga Neni 136 paragrafi i parë i Kodit Penal të Kosovës.
“Ky është gjykim haptazi politik dhe të gjitha provat e siguruara nga Prokuroria e vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes”, ka vlerësuar Gashi përmes rrjetit social Facebook, raporton gazetametro.net
“Kështu ka ndodhur edhe me rastin e akuzimit dhe gjykimit të aktivistit të Lëvizjës VV, z. Trim Gashit, kinse për sulm ndaj eskortës së Kryeministrit, ai është liruar i paafajshëm nga e njejta Gjykata Themelore në Prishtinë, që e ka mbajtur në paraburgim për gjashtë muaj”, vazhdoi Gashi.
Sipas tij nëse ka gjykatë të pavarur, të drejtë dhe që punon në bazë të ligjit, të gjithë aktivistët, duhet të lirohen të pafajshëm, duke shtruar tutje pyetjen se kush do të përgjigjet për vrasjen e Astrit Deharit,i cili u paraburgos për 78 ditë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për këtë rast të inskenuar politik. /gazetametro.net