Loading…

Nga 15 korriku lejohen vizitat familjare për ish-pjesëtarët e UÇK’së në Hagë

  • 17/06/2021 | 14:44

Nga 15 korriku lejohen vizitat familjare për ish-pjesëtarët e UÇK’së në Hagë

Nga 15 korriku i këtij viti pritet që të lejohen vizitat familjare për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në Dhomat e Paraburgimit në Hagë. Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga Specialja.


Familjarët e afërt, partnerët, fëmijët e prindërit, do të lejohen nga 15 korriku të vizitojnë të burgosurit në Hagë. Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

“Në lidhje me vizitat familjare personalisht, Sekretari ka informuar Gjyqtarin e Procedurës paraprake për një azhurnim mbi lehtësimin e Masave për Zbutjen e Rrezikut Covid në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, kanë bërë të ditur nga Specialja.

Përveç familjarëve të afërt, për anëtarët e tjerë pritet që vizitat të nisin nga gushti apo shtatori, nëse faza e parë vlerësohet si pozitive.

“Regjistruesi do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të angazhohet me Zyrtarin Mjekësor për të lehtësuar masat. Për më tepër, vizitat me video do të vazhdojnë me të afërmit e ngushtë të të paraburgosurve sa më shumë që të jetë e mundur”, ka thënë Griep për Demokracia.com.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale me seli në Hagë ka ngritur akuza ndaj tetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët aktualisht po mbahen nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Për krimet luftës janë akuzuar edhe Sali Mustafa dhe Pjetër Shala, raporton Demokracia.com.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë akuzuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe  vepron në Hagë të Holandës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë