Miliona euro të evazionit fiskal janë lejuar me vite të tëra nga Administrata Tatimore e Kosovës të keqpërdoren dhe deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi.
E njëjta u dënua edhe nga gjykata së fundmi dhe as për këtë veprim anti-ligjor askush nuk u përgjigj. Kjo agjenci, që është e dyta për nga rëndësia e mbushjes së buxhetit, sipas ish-menaxherëve të saj ka dhënë detaje se si e njëjta ka lejuar shmangien e tatimeve nga kompani fiktive.
Në ATK, nuk kanë pranuar të flasin për këto deklarime, me arsyetimin se rastet janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit. Ndërkohë, që as këta të fundit nuk kanë pranuar të japin ndonjë informacion nëse kanë nisur hetimet rreth këtyre të dhënave, raporton KTV.
Sipas të dhënave nga një numër i agjencive ndërkombëtare, evazioni fiskal arrin në 33% të shumës së përgjithshme të buxhetit, e që është niveli më i lartë në rajon.
Gjithashtu, një varg të madh vërejtjesh për Administratën Tatimore të Kosovës ka pasur edhe Raporti i Progresit, për të cilën thotë se ka pasur pak progres në luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, evazionit fiskal.