Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt të vitit 2025, sipas të cilit kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje si krahasuar me tremujorin e tretë ashtu edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2024, transmeton Gazeta Metro.
Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit u rrit për 0,5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025 (korrik-shtator), ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024, rritja arrin në 3,5%.
Në bazë tremujore, rritje më të lartë regjistruan transporti (3,5%), pagat (1,2%), kostot e tjera (1,2%), materialet (0,3%) dhe energjia (0,2%). Vetëm makineritë shënuan një rënie të vogël prej -0,1%.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, indeksi tregon se energjia është komponenti që u rrit më shumë (9,8%), ndjekur nga pagat (8,1%), kostot e tjera (5,3%), transporti (4,4%) dhe materialet (2,6%). Makineritë vazhdojnë të regjistrojnë rënie, me -0,4%.
Sipas ASK-së, indeksi arriti në 152,3 pikë në tremujorin e katërt të vitit 2025 (bazuar në vitin 2015=100). Mesatarja vjetore për vitin 2025 ishte 151,1 pikë, që tregon një rritje prej 4,4% krahasuar me vitin 2024.
Sipas indekseve, rritja e transportit dhe e materialeve ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të punimeve ndërtimore, duke u reflektuar te konsumatori përfundimtar./gazetametro.net