Partitë politike, kësaj radhe kanë hyrë në garën zgjedhore në koalicione të mëdha, për të evituar sa më shumë që është e mundur rrezikun për humbje.
E vetme kësaj gare i ka hyrë vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk ka bërë koalicion me asnjë nga partitë aktuale politike.
Se cili koalicion do të dalë fitues në këto zgjedhje, mbetet të shihet me 11 qershor. Por nëse bazohemi në votat që këto parti, kanë marrë në zgjedhjet e 2014-ës, atëherë koalicioni PDK-AAK-Nisma i ka gjasat më të mëdha për fitore.
Bazuar në votat e marra në vitin 2014, në epërsi është koalicioni PDK-AAK-Nisma.
Sipas rezultateve të KQZ-së, PDK në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, e cila ishte në koalicion me Partinë e Drejtësisë dhe me Lëvizjen për Bashkim, ka marrë 222 mijë e 181 vota apo 30,38 për qind. E kjo parti kësaj radhe po garon dhe me AAK-në e cila në zgjedhjet e qershorit të vitit 2014 ka marrë 69 mijë e 793 vota apo 9,54 për qind dhe Nismën për Kosovën e cila ka marrë 37 mijë e 680 vota apo 5,15 për qind. E që së bashku të gjitha këto parti që tani janë në koalicionin PDK-AAK-Nisma, në vitin 2014, kanë marrë 329 mijë e 645 vota apo 45.07 për qind.
Ndërsa koalicioni tjetër LDK-AKR, të cilët tashmë garojnë së bashku në këto zgjedhje, në zgjedhjet e vitit 2014, kanë marrë vota më pak se sa koalicioni i parë PDK-AAK-Nisma.
LDK në zgjedhjet e vitit 2014, ka arritur t’i marrë 184 mijë e 594 vota apo 25,24 për qind. Ndërkaq AKR e cila tashmë është në koalicion me LDK-në, nuk ka arritur ta kaloj as pragun, pasi që ka marrë 34 mijë e 170 vota apo 4,67 për qind. Që të dy partitë së bashku bazuar në votat e 2014-ës kanë marrë 218 mijë e 764 vota apo 29.91 për qind. Bashkë me LDK dhe AKR-në në zgjedhje garon edhe Alternativa e Mimoza Kusari-Lilës dhe Ilir Dedës por që në zgjedhjet e vitit 2014 kanë qenë në parti tjera, në AKR, përkatësisht në Vetëvendosje.
E Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2014, është radhitur si partia e tretë, me votat që ka marrë, e që janë 99 mijë e 398 vota apo 13,59 për qind. Se cili do të jetë rezultati i VV-së pas zgjedhjeve të 11 qershorit, pasi që afër saj nuk ka marrë asnjë parti si përforcim, mbetet të shihet.
Sipas rezultateve të vitit 2014, koalicioni PDK-AAK-Nisma prin me numrin e votave të marra. Por se a vazhdojnë ta kenë përkrahjen e njëjtë, apo numri i votuesve të tyre ka rënë, është rritur apo ka mbetur i njëjtë, mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Radhitja e partive në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 :
Partia Demokratike e Kosovës bashkë me partitë e vogla në koalicion mori 222.181 vota, apo 30,38%.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 69.793 vota apo 9,54%
Nisma për Kosovën 37.680 vota, apo 5,15%
Lidhja Demokratike e Kosovës 184.594 vota, apo 25,24%
Aleanca Kosova e Re 34.170 vota, apo 4,67%
Lëvizja Vetëvendosje! 99.398 vota, apo 13,59%