Loading…

Nga vitit 1986 kaq vdekje u raportuan në Kosovë, si pasojë e AIDS’it

  • 01/12/2020 | 08:06

Nga vitit 1986 kaq vdekje u raportuan në Kosovë, si pasojë e AIDS’it

Që nga 1 dhjetori i 1988 shënohet Dita Botërore e AIDS.


Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, e ku Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur që gjatë këtij viti janë raportuar dy raste të infeksionit me HIV.

E sipas të dhënave të IKSHPK-së që nga viti 1986 e deri më tani në Kosovë janë raportuar 132 raste me HIV, ndërsa si pasojë e kësaj kanë vdekur 51 persona.

“Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor të vitit 2020, në Kosovë janë raportuar 132 raste me HIV. Deri më tani 51 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2020, janë raportuar 2 raste me HIV infeksion. Qendrat për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV/AIDS ekzistojnë që nga viti 2003 në Kosovë dhe veprojnë në kuadër të Klinikës Infektive në QKUK, në IKSHPK gjithashtu edhe në në Ferizaj, Prizren dhe Pejë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së në Ditën Botërore të AIDS.

Infeksioni me HIV është i pashërueshëm. Megjithatë, terapia efikase antiretrovirale mund ta kontrollojë virusin dhe të ndihmojë parandalimin e bartjes së infeksionit tek njerëzit tjerë.

Ndikimi i infeksionit me COVID-19 tek personat me HIV është ende duke u hulumtuar. Personat me HIV janë të rrezikuar nga sëmundjet serioze nëse kanë vlera të ulëta të qelizave imunitare CD4 dhe nëse nuk marrin terapi efektive antiretrovirale.

“Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM. Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndërsa deri në fund të vitit 2019, rreth 38 milionë njerëz ishin me HIV. Gjatë vitit 2019 raportohet se kanë vdekur 690.000 njerëz me HIV për shkak të mungesës së shërbimeve për HIV, ndërsa 1.7 milionë të tjerë janë infektuar.

Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grup moshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj).

Po ashtu llogaritet se 1 në 5 njerëz që jetojnë me HIV nuk e dijnë se janë të infektuar.

Ndikimi i infeksionit me COVID-19 tek personat me HIV është ende duke u hulumtuar. Personat me HIV janë të rrezikuar nga sëmundjet serioze nëse kanë vlera të ulta të qelizave imunitare CD4 dhe nëse nuk marrin terapi efektive antiretrovirale.

Kampanja për vitin 2020 është me moton:

“Ta përfundojmë epideminë e HIV/AIDS-it: Qëndrueshmëri dhe Ndikim”

Mesazhet kryesore dhe thirrja për veprim:

• Përtëritja e luftës për t’i dhënë fund AIDS-it; është koha për të investuar, përtërirë dhe integruar shërbimet e HIV me kujdesin e gjerë shëndetësor.

• Përdorimi i shërbimeve inovative të HIV-it, për të siguruar kujdes të vazhdueshëm për personat me HIV gjatë pandemisë, p.sh. përshkrimi i terapisë për disa muaj.

• Angazhimi, përkrahja dhe mbrojtja e punëtorëve shëndetësor dhe atyre në komunitet gjatë ofrimit të shërbimeve për HIV dhe COVID-19.

• Dhënia e përparësisë grupeve vulnerabile. Ofrimi i vazhdueshëm i shërbimeve të HIV-it gjatë COVID-19 për fëmijët, adoleshentët dhe grupacionet e veçanta.

COVID-19 dhe HIV

Personat me HIV duhet të jenë shumë të kujdesshëm në respektimin e masave të përgjithshme për të shmangur infeksionin me COVID-19:

• Bartja e maskës,

• Mbajtja e distancës fizike,

• Mbajtja e higjienës personale dhe ambientit,

• Evitimi i udhëtimeve dhe tubimeve të panevojshme.

Në veçanti, duhet parapregaditur për infeksion të mundshëm, duke:

• Siguruar furnizim të mjaftueshëm (30-90 ditë) me barna për HIV.

• Vazhduar të merrni barnat për HIV, me që ato ndihmojnë që ta ruani sistemin imunitar.

• Mirëmbajtur stilin e shëndoshë të jetës (të ushqyerit e shëndetshëm, gjumë të mjaftueshëm së paku 8 orë në ditë dhe largimi nga stresi).

Solidariteti dhe ndarja e përgjegjësisë ndihmojnë ta luftojmë coronavirusin, përfundojmë epideminë e AIDS-it dhe garantojmë të drejtën për shëndet për të gjithë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë