Loading…

Ngjarja tragjike në Gjilan: 21 vjeçari ishte i vetmi i familjes, jetën e humbi në krahë të babait

  • 09/11/2021 | 16:10

Ngjarja tragjike në Gjilan: 21 vjeçari ishte i vetmi i familjes, jetën e humbi në krahë të babait

Pak metra larg shtëpisë së tij në lagjen “Arbëria” të Gjilanit, fëmija i vetëm i familjes, Egzon Rafuna 21-vjeç, u privua nga jeta me armë zjarri. I plagosur mbeti 29-vjeçari Valdrin Halimi nga fshati Pogragjë. 

Gjashtë persona u përfshinë në një përleshje të armatosur, që përfundoi me një viktimë dhe një të plagosur. Sipas policisë, personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:40 në afërsi të shtëpisë së viktimës, Egzon Rafuna.

E një ditë pas tragjedisë, lagjja “Arbëria” në Gjilan frekuentohej nga shumë njerëz të cilët vinin për kryeshnosh. Familjarë të viktimës thanë se nuk i dinë arsyet sesi erdhi deri te mbytja, por pohuan se 21-vjeçari i ka vdekur babait në duar.

“Ngjarja ka ndodh shumë afër shtëpisë së tij, babai i djalit i ka dëgju krismat që kanë gjujt nga një veturë e tipit Golf II, ka dal babai edhe e ka pa djalin shtritë në tokë, i ka vdek në krah babës së tij”, tha një familjar i viktimës për Gazetën Express.

I pyetur se cila ishte arsyeja pse 21-vjeçari kishte dalë nga shtëpia, familjari i viktimës tha “Ka pas me shku te axha i tij”.

Familjarët e tij pohuan se nuk kanë qenë në dijeni se i riu ka pasur mosmarrëveshje me dikë dhe se nuk e njohin grupin e të rinjve që u përleshën me armë zjarri.

Familjarët thanë se Egzon Rafuna ishte fëmija i vetëm i familjes dhe lindja e tij kishte ndodhur pas 12 vitesh martesë.

Gazeta ka biseduar edhe me familjen e Valdrin Halimit në fshatin Pogragjë të Gjilanit, i cili është plagosur mbrëmë, por familja nuk ka pranuar të prononcohet për media.

Familja ka konfirmuar se 29-vjeçari i plagosur është në gjendje të mirë shëndetësore.

Për rastin e mbrëmshme, policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar, me vendim të prokurorit të njëjtit ndodhen në ndalim.

Rasti është cilësuar si “v rasje e rëndë” , ndërsa në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale, policia ka konfirmuar se janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe 7 copë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Motivi i ngjarjes mbetet akoma i paqartë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë