Loading…

Ngjarjet në veri dhe populli i Kosovës

  • Nga

  • BLERIM CANAJ

  • 08/09/2023 | 19:20

Ngjarjet në veri dhe populli i Kosovës

Nëse shohim fillimin e përkeqësimit të situatës në veri, kërkesat e partnerëve tanë që të kemi kujdes dhe të mos provokojmë situatën për shkak se provokimi i situatës në këtë momentum politik do të ishte në favor të Rusisë dhe Serbisë dhe krahas kësaj të shohim deklaratat e mëhershme publike të kryeministrit të Kosovës por edhe veprimet e tij të tanishme dhe pas kësaj të futemi në „konspiracione“, natyrisht që tërë këtë mund ta kuptojmë si veprim të organizuar i cili na qon te qëllime të dyshimta të shefit të qeverisë së Kosovës! Pse?


Shkruan: Blerim Canaj

Në veriun e Mitrovicës kemi të bëjmë me pakicën e instrumentalizuar serbe të cilët janë qytetarë të Republikës së Kosovës! Duke qenë shtet i ndërtuar mbi bazën e të drejtave të njeriut – gati të njëjtat parime mbi të cilat është krijuar edhe SHBA – kushtetuta e Kosovës iu garanton atyre dhe të gjitha pakicave tjera të drejtat e tyre. Kjo edhe do duhej të ishte në fokusin e politikës kosovare kur flitet për pakicat. Tekefundit, në botën e sotme, trajtimi i pakicave merret edhe si pasqyrë e demokracisë së një shteti! Por, për një vend si Kosova, i cili me një ritëm të sigurt ka rrëshqitur në drejtim të autoritarizmit e autokracisë – të dyja këto si pararendëse të diktaturës – pasqyra e demokracisë duket se nuk është me ndonjë rëndësi!

Nëse kemi parasysh bazën kushtetuese dhe ligjore për pakicat, është thënë dhe ende mbetet fakt që jemi një shtet model për trajtimin ligjor dhe kushtetues të tyre. Gjithkush që ka bërë pak ditë jetën e diplomatit e di që në diskutime të ndryshme, kjo edhe ishte pasqyra më e mirë kur flitej për garantimin e të drejtave të njeriut në Kosovë për shkak se baza ligjore dhe kushtetuese e RKS është arma kryesore. Pse është e mirë kjo, dua të përmend një shembull dhe një bisedë me një ish luftëtar dhe një nga themeluesit e UÇK i cili një herë më thoshte: „kur ne hymë në luftë, hymë jo pse e donim luftën, por sepse e donim lirinë, i donim të drejtat. Sot kur e kemi bërë shtetin, kemi lirinë nuk do dëshiroja që asnjë pakicë në Kosovë të përjetojë atë që e kemi përjetuar ne shqiptarët në regjimin e Rankoviqit, Millosheviqit e Millosheviqëve të tjerë. Nuk do doja që ky shtet sado i vogël, të marrë model Millosheviqin!“

II. Është e qartë që regjimet në Serbi, si dorë e shtrirë e Rusisë në Ballkan, gjithmonë kanë qenë dhe janë në përpjekje të vazhdueshme të destabilizimit të Kosovës. Dhe për këtë destabilizim të planifikuar përdoret popullata – e instrumentalizuar – serbe në Kosovë. Më konkretisht përdoren grupet e organizuara kriminale në Veriun e Mitrovicës të cilat natyrisht që duhet të luftohen. Luftimi i tyre do ishte luftë kundër ndikimit të Vuqiqit në Kosovë, sepse tani më po dihet që ndikimi i Vuqiqit po shtrihet përmes atyre grupeve kriminale. E lufta kundër këtyre grupeve arrihet me shtrirjen e sovranitetit! Deri para disa muajsh, pas shumë vitesh përpjekjeje, në veri ishte arritur një lloj stabiliteti dhe kishim një lloj sovraniteti të shtrirë e të monitoruar dhe garantuar nga Bashkësia Ndërkombëtare. Por Albin Kurti, me apo pa vetëdije, me apo pa dashje, me apo pa marrëveshje me ndokënd, ra në grackën – e inskenuar apo të painskenuar! – e Vuqiqit dhe eskaloj situatën atje. Madje për konkretizim, po të krahasosh hapat e tij politik, edhe pse jo tërësisht, janë të afërt me hapat që bënte Millosheviqi në vitet e 1990ta, hapa të cilët përdorin zakonisht poltikanët, të cilët synim kanë ngritjen e simpatisë së masës përmes sentimentit nacional(ist) që pastaj është përdorur për shtrirjen e diktaturës. Hapi i parë ishte përpjekja për të kapur institucionet: përderisa Millosheviqi në vitet e tij bënte një serbizim të institucioneve edhe atë nën sloganin e vendosjes së shtetit të së drejtës siq e quante ai, „uspostavljanje pravne drzave“ qeveria Kurti në emër të vendosjes së ligjshmërisë, jashtëligjshëm filloj të largojë zyrtarë shtetërorë për të arritur vetvendosjezimin e tyre. Për qudi, të larguarit o ishin ata që kishin luftuar për liri, o të afërmit e rrethit të tyre familjar apo shoqëror. Mbi të gjitha, kryesisht ishin njerëz që kishin qenë pjesë e ndërtimit të institucioneve dhe që e njihnin rëndësinë e tyre.

III. Me një qeverisje populiste, autoritare e autokrate, por duke dështuar në të gjitha fushat dhe dikasteret dhe kryesisht duke sajuar konflikte, qeveria e tanishme konfliktet i përkrahë edhe me qëllimin e krijimit të stereotipeve dhe sajon një rrezik për tërheqje fokusi nga problemet reale të shoqërisë kosovare: problemet në secilën pore të jetës si korrupsioni i theksuar, shkatërrimi i bizneseve, problemet në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe me humbjen e shpresës së qytetarit që qon në ikje masive të popullatës. E përderisa momentalisht, politika e jashtme duhet të jetë prioritet i yni, derisa Kosova së bashku me disa shtete proruse qëndron nën sanksione nuk mund të flitet për politikë të jashtme. Por kur kemi parasysh faktin që Kosova Ministrinë e Jashtme e lë të drejtohet nga një person i cili në Këshillin e Sigurimit falënderohet nga një ministër i qeverisë më armike të Kosovës për ndihmën që ajo i ka dhënë Serbisë në betejën e krerëve të themeluesve të shtetit të Kosovës në Hagë, tregon qartazi për rrugën që ka dikasteri i politikës së jashtme. Në një shtet normal, me siguri që kjo do të kërkonte hetim. Por në anën tjetër, kur kemi parasyshë faktin dhe dëshminë publike se si qeveria është në kërkim të dëshmitarëve kundër krerëve të UÇK-së, natyrisht që kjo qon në pyetje dyshuese për qëllimin e kësaj udhëheqjeje qeveritare!

IV. Në vazhdën e bisedimeve me Serbinë ishin edhe premtimet e ndërmjetësve por edhe të disa burrështetasve perëndimorë për njohjen e ndërsjellë. Pas eskalimit të situatës që në retorikën populiste u krijua narracioni i shtrirjes së sovranitetit në emër të një flamuri në katin e tretë të një godine komunale në veri, që nga takimi (zotimi) i Ohrit, më nuk përmendet njohja e ndërsjellë. Për më tepër, në takim mes shefes së politikës së jashtme të Kosovës dhe Sekretarit Gjeneral të NATO-s, faktikisht iu bë e qartë Kosovës që policia në veri nuk do të mund të hyjë pa lejen e KFOR-it. Kjo natyrisht është funksionalizim i plotë i rezolutës 1244, që Vuqiq e kishte si një qëllim. Nëse edhe zgjedhjet atje organizohen nga OSBE dhe jo nga KQZ, atëherë „de facto“ e jo vetëm de facto veriu i Kosovës kthehet në pikën e vitit 1999! Krejt kjo na bën të pyesim: a e arriti Albin Kurti qëllimin e tij, apo ka edhe ndonjë qëllim tjetër?! A po fillon Kurti që për serbët në Kosovë të implementojë Asociacionin apo Zajednicën siç e kishte emëruar vet ai, apo thënë më troç autonominë politike territoriale siç e ishte dikur për shqiptarët e Kosovës në Jugosllavi? A ka të ngjarë që Kurti me apo pa vetëdije, me apo pa qëllim po shkon drejt një autonomie?!

(Autori është Doktor i Historisë Politike).

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë