Temperaturat e ulëta kanë mbërthyer vendin, ndërsa reshjet e borës kanë filluar të shkaktojnë probleme në rrugët regjionale për qytetarët, siç është ajo e Veternikut, ndërsa Ministria e Infrastrukturës si duket është në ‘gjumë’, shkruan Gazeta Metro.
Lexues të Gazetës Metro kanë dërguar fotografi, duke treguar gjendjen e krijuar në rrugën e Veternikut, e cila është tërësisht e ngrirë dhe po shkakton shumë probleme për shoferët që frekuentojnë atë pjesë.
Siç ka shkruar një lexues, veturat dhe automjetet e tjera nuk po mund të lëvizin nga ngricat e krijuar mbi rrugën e Veternikut.
Duhet theksuar se rrugët regjionale janë nën menaxhimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa asgjë nuk është ndërmarrë për ta shkrirë akullin dhe për të krijuar siguri, përderisa reshjet e borës kanë filluar dhe rrugët janë të ngrira tashmë.
Po kjo qeveria sa ishte në opozitë kritikonte pushtetin se nuk po janë në gjendje të pastronin rrugët nga bora, ndërsa sot kur të njëjtit janë në pushtet, kompani e pastrimit te kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu si duket janë në gjumë të thellë./gazetametro.net