Qendërmbrojtësi gjerman, Niklas Sule, është shprehur i lumtur për transferimin e tij te Borussia Dortmund, pasi nuk gjeti akordin për të vazhduar kontratën me Bayern Munich, transmeton Gazeta Metro.
Niklas Sule në fillim të këtij afati kalimtar u zyrtarizua si lojtar i Borussia Dortmund. Ai gjatë një interviste ka thënë se pas bisedës që kishte pasur me drejtuesit e klubit e ndjeu që ambiciet janë të mëdha dhe ishte një ndër arsyet kryesore që e bindën atë.
”Kur fola me klubin, ndjeva një lidhje të vërtetë me ambiciet e këtij klubi, me atë që kam përjetuar në karrierën time deri më tani dhe me atë që ende dua të arrij. Mundësia për t’i arritur ato objektiva me BVB ishte një perspektivë tepër emocionuese dhe mezi pres sezonin e ardhshëm,” tha ai për faqen zyrtare të Dortmund.
Ndër të tjera 26-vjeçari deklaroi se dëshiron të ketë një rol të rëndësishëm në skuadër, kurse shprehet edhe optimist se mund të arrijnë objektivat në fund të sezonit.
”Unë dua të luaj një rol të rëndësishëm që ne të kemi një sezon të mirë vitin e ardhshëm dhe dua që ne të jemi sa më të suksesshëm. Në fund do të shohim se ku do të na çojë, por kam besim se mund të luaj rol dhe të arrijmë qëllimet,” theksoi Sule.
Ish-mbrojtësi i Bayern Munich është larguar pas vitesh të kaluara në ‘Allianz Arena’, ku zhvilloi 171 ndeshje në të gjitha garat. /gazetametro.net