Kryetari i Serbisë Tomislav Nikolic, me rastin e refuzimit të gjykatës franceze që ta ekstradoj Serbisë Ramush Haradinjn, i ka dërguar letër presidentit të Francës Fracois Hollande.
Letrën e Nikolic’it e ka transmetuar b92.net, në tërësi:
“I nderuari zotëri president Hollande,
Lajmi se me vendimin e jurisprudencës franceze është liruar Ramush Haradinaj, ekstradimin e të cilit kemi kërkuar në bazë të fletë kërkimit të “siguruar me dëshmi”, e ka tronditur thellë publikun tonë, dhe fatkeqësisht, edhe më tepër vërtetoi bindjen se “nuk ka drejtësi për viktimat serbe”. Me vendimin e Gjykatës së Apelit në Colmar është liruar “krimineli i cili, me këtë akt të pushtetit francez, do të mbetet i padënuar”.
Ne, në përputhje të procedurave në fuqi, kemi dorëzuar dokumentacionin i cili “pamohueshëm provon fajësinë e Ramush Haradinajt, kriminelit i cili përgjithmonë i ka lënë në zi shumë familje serbe”. Kurrfarë sqarimesh nuk mund të largojnë përshtypjen se politika edhe kësaj here e ka mbizotëruar të drejtën dhe se vrasja e serbëve është e arsyeshme dhe e lejuar, në krahasim me krimet ndaj popujve tjerë.
Ndjenja jonë e fyerjes së thellë është shtuar me faktin se në historinë serbe Franca përjetohet si shembull i shenjtë i miqësisë dhe nderit, për shkak të cilit as vuajtjet më të mëdha të dy luftërave botërore nuk ishin të kota.
Qeveria e Serbisë, në pajtim me autorizimet e veta, do të vendos se në cilën mënyrë Serbia do ta shpreh pakënaqësinë e vet, dhe konsideroj që duhet të dini se ky vendim do të shkaktojë revolt të popullit tim”, kërcënon në fund Nikolic.