Një fushatë me sloganin “Rusët jashtë” ka nisur të përhapet në rrjetet sociale në Serbi, ku përmes postimeve të ndryshme kërkohet largimi i shtetasve rusë nga vendi, ndërsa publikohen edhe fotografi të tyre. Kjo fushatë ka nxitur shqetësime për gjuhën diskriminuese ndaj qytetarëve rusë që jetojnë në Serbi, transmeton Gazeta Metro.
Në disa prej postimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale shihen qytetarë rusë duke pritur në radhë para bankës ALTA, së cilës një ditë më parë i ishte revokuar licenca për punë.
“Rusët jashtë”, “Nuk kemi as luksin, as kohën dhe as resurset për të kontrolluar se cilët rusë janë të mirë. Nuk më intereson. Edhe një herë: Rusët jashtë”, janë disa nga mesazhet që po shpërndahen.
Fushata është përhapur në llogari që gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare kishin mbështetur opozitën dhe Listën Studentore.
Sipas raportimit të Blic, një pjesë e madhe e rusëve që jetojnë në Serbi janë larguar nga Rusia për shkak të regjimit autoritar dhe luftës që Moska po zhvillon kundër Ukrainës.
Përveç kërkesave për largimin e shtetasve rusë, në këto postime kërkohet edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, çështje e cila është rikthyer në debatin politik në Serbi.
Në këtë debat është përfshirë edhe Vladimir Gjukanoviç nga lista “Serbia e Bashkuar”, i cili pretendon se Lista Studentore, nëse vjen në pushtet, do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Ai ka kritikuar deklaratat e kandidatit të Listës Studentore, Ilija Srdanović, i cili kishte përmendur mundësinë që qytetarët të vendosin për këtë çështje përmes referendumit.
Gjukanoviç pretendon se Lista Studentore fillimisht kishte deklaruar se nuk do të vendoste masa kufizuese ndaj Rusisë dhe qytetarëve rusë, ndërsa tani po lë të hapur mundësinë e vendosjes së sanksioneve përmes një referendumi. Sipas tij, një vendim i tillë duhet të merret nga qeveria dhe jo përmes referendumit.
Ndërkaq, nga Lista Studentore, Radomir Saičić kishte deklaruar në disa raste se qeveria e re e Serbisë nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Çështja e sanksioneve ndaj Moskës mbetet një nga temat kryesore në raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Serbia nuk mund të përparojë drejt anëtarësimit në BE pa harmonizuar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë.
Ajo ka theksuar se fillimisht duhet të formohet qeveria e re e Serbisë, pas së cilës do të shihet nëse mund të vazhdojnë bisedimet për këtë çështje.
Kos ka bërë të ditur gjithashtu se BE-ja është e gatshme të mbështesë qeverinë e re serbe në rrugën drejt integrimit evropian, por pret veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata politike.