Loading…

Një ‘analogji’ për energjinë

  • Nga

  • 09/11/2016 | 15:32

Një ‘analogji’ për energjinë

Çka dëshirojmë të hamë? Suxhuk në hell e të lirë, apo peshk deti të shtrenjtë? Me gjasë na e dikton xhepi.

Energjia elektrike që prodhojmë dhe shfrytëzojmë është po aq e rëndësishme sa edhe ushqimi që konsumojmë. Duke qenë se të dy këto energji janë të domosdoshme për ne, kishte me qenë interesant të vendoset një analogji mes tyre:

  1. Suxhuk apo peshk?

Po e marrim si shembull një qytetar me një rrogë mesatare në Kosovë, i cili në një ditë të zakonshme pune teksa ka dalë në pushim mendohet për shujtën e drekës. Atij i duhet të hajë. Pra i duhet energji për ta vazhduar ditën. Dilemën se çka të hajë, përpos asaj se çfarë i sillet në kokë dhe e lakmon, më së shumti ia dikton xhepi.

Ai e din mirë se çka është e shëndetshme dhe çka i shkon për shijen e tijë. Një peshk deti me një sallatë të mirë ekstra anash do ta kishte shpërla me kënaqësi. E njejtë do t’i vinte një sallatë me fruta deti, sallatë perimesh me copa bifteku apo pulë organike.

Sigurisht se kjo do t’i kishte dhënë energji të mjaftueshme e gjithashtu edhe yndyrna e sheqerna të shëndetshme. Por, i gjithë ky muhabet do ti kishte kushtuar nja 15 euro. Rrugës, teksa mendohet për këto ushqime të shëndetshme, dilemën ia zgjidhë era e suxhukut dhe qebapave që vjen nga qebaptorja në krahun tjetër të rrugës. Mendimet mbesin mendime e pse jo edhe objektiva për një të ardhme të afërt, kurse për momentin vendimin se çka të hajë e ka marr xhepi.

Me 3 euro e mbush barkun suxhuk me pitalkë dhe me disa fije lakër anash, duke e përcjellur edhe me një jogurt. E merr energjinë e duhur deri në shujtën tjetër e bashkë me të edhe yndyrna dhe sheqerna jo të mira për shëndetin e tij.

Natyrisht, qytetari me rrogë mesatare është i vetëdijshëm se përkundër masave kursyese që ia ka imponuar xhepi i tij, ai duhet të hajë edhe mirë dhe shëndetshëm. Kjo dietë do t’i kushtojnë më shumë se suxhuku dhe qebapat, por është një kosto shtesë që ai është i gatshëm ta paguaj.

  1. Thëngjilli apo era dhe djelli?

Pa i njohur mendimet e personazhit tonë, bajagi me njëfar sigurie mundemi me marr me mend se çka mendon ai per burimet e energjisë dhe sa është i gatshëm me pagu një kosto shtesë për ambientin. Dorën në zemër, nuk kemi këtu të bëjmë vëtëm me gatishmëri por prap kthehem tek ai që i dikton vendimet – xhepi pra. Meqenëse personazhi më lartë perfaqëson një shumicë të mirë të qytetarëve në Kosovë, xhepi i tij reflekton shumë mirë xhepin e shtetit.

Sikurse qytetari ushqimin e shëndetshëm edhe shteti e ka vështirë ta përballojë furnizimin vetëm me burime të pastra, aq më tepër kur kostoja shtesë godet drejtpërdrejtë xhepin e qytetarit nga i cili shteti vjelë taksa.

Dhe këtu shkëputet analogjia sepse përveç kostos, duhet të dalim pak edhe te aspekti teknik.

  1. Çka ofron tregu i energjisë?

Burimet që shfrytëzojmë së bashku me teknologjitë përkatëse pasqyrojnë deri në një masë produktet specifike të energjisë elektrike:

Për shembull, burimet fosile, sidomos ato nukleare dhe thëngjilli, japin produktin e ashtuquajtur ‘bazë‘. Kjo do të thotë prodhojnë pothuajse gjatë gjithë vitin (perveç kohës së riparimeve). Teknologjitë të cilat shfrytëzohen karakterizohen me fleksibilitet jo edhe aq të madh ose shumë të kushtueshëm. Gazi natyror dhe hidrocentralet e mëdha me penda janë alternativë për produktin bazë dhe kanë fleksibilitetin më të lirë që u mundëson teknologjia e tyre.

Fleksibiliteti është karakteristikë në vete dhe paraqet mundësinë për ngritje e zbritje domethënëse të prodhimit në një kohë shumë të shkurtër që është shumë e rëndësishme për operim të sistemit elektrik. Teknologjitë që e kanë përfitojnë një premium nga ky tipar i cili është mjaft atraktiv kur është efikas apo i lire për t’u realizuar. Fleksibiliteti si produkt tregëtohet edhe në formë të rezervave dhe shërbimeve të ndryshme që shfrytëzojnë operatorët e sistemeve elektrike por edhe pjesëmarrësit tjerë në treg. Formë më e re e fleksibilitetit është edhe participimi i kërkesës apo konsumit në treg si gjenerator virtual.

‘Piku’, në anën tjetër, është produkt të cilin, përveç industrive që kanë fleksibilitet e japin edhe burimet më jo ekonomike, si derivatet e vajit, etj. Edhe hidrocentralet e vogla apo edhe të mëdha akumulojnë energji për produktin e pikut pasi që paguhet më mirë. Piku paraqet konsumin e shtuar nga ai bazë në disa orë të ditës apo edhe periudha më të gjata sezonale. E kundërta me pikun është ‘off-piku’, për shembull nata kur konsumi i energjisë bie në minimum (përveç në Ramazan në kohën e syfyrit). Aty ku produkti bazë mbulon periudha piku, off-piku krijohet si produkt shtesë prandaj edhe duhet të adresohet në treg.

Edhe pse e përgjithësuar në disa pika, këto janë pak a shumë produktet e nevojshme për secilin vend. E nëse nuk gjinden në vend, ose i hasim me tepricë, duhet të shkëmbehen përndryshe nuk do të kemi shfrytëzim optimal të burimeve të energjisë, e aq më pak kur në sistem derdhet edhe energjia nga burimet e ripërtëritshme.

Sidoçoftë të kthehemi tash tek një pikë të cilës po i sillem rrotull. Ku gjejnë vend burimet e ripërtëritshme në ketë ‘hallakamë’ të produkteve e teknologjive?

Teknologjia që prodhon energji elektrike nga era apo dielli ka një kosto fikse të lartë. Për njësi, më të lartë se teknologjitë tjera tradicionale. Kjo megjithatë nuk ka qenë pengesë që shumë shtete të zhvillojnë kapacitete të reja solare dhe me erë duke dëshmuar nivel të lartë të vetëdijësimit qytetar për të ruajtur ambientin dhe natyrisht gatishmëri për të sakrifikuar diçka më shumë nga xhepi i tyre. Si në nivel të Bashkimit Evropian ashtu edhe në rrafshin nacional keto vende kanë zhvilluar mekanizma mbështetës të këtyre burimeve dhe njëkohësish mekanizma dekurajues për burimet ndotëse të ambientit. Kjo i ka dhënë një shtytje të madhe zhvillimit të kapaciteteve prodhuese solare dhe me erë në Evropë. Kjo ka nxitur edhe inovacionin që dita ditës po i bën këto teknologji më efikase dhe definitivisht shihen si burime të së ardhmes. Edhe pse në kosto më të lartë nga aspeti i ekonomisë së shkallës e mira qëndron në faktin së mund të investohet në njësi të vogla gjë që mund të jenë më të përballueshme për një rreth më të gjërë të investitorëve çoftë edhe të atyrë jashtë sektorit të energjisë.

Ana tjetër e medaljës dëshmon për vështërsi në operimin dhe balansimin e sistemeve si tërësi me derdhjen në rrjet të energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme. Nevoja për rezerva të ndryshme fleksibile dhe në përgjithësi kostoja e operimit të sistemit është rritur. Era dhe dielli na ofrojnë energji elektrike kur “donë ato” dhe jo gjithëherë kur e duam ne. Me fjalë të tjera e kemi jashtë kontrollit dhe pa mundësi parashikimi afatgjatë. Kjo s’do ishte problem sikur të mund ta akumulonim këtë energji në sasi domethënëse, por meqenëse kjo nuk është e mundur tash për tash premiumi për burimet dhe teknologjitë tjera, e sidomos ato fleksibile, është rritur. Për fat të mirë (apo të keq), çmimet e tregut në përgjithësi kanë shënuar rënje në vitet e fundit si rezultat i krizës financiare që ka shkaktuar rënjen e kërkesës për energji (në fakt muajt e fundit vërehet një rritje andaj trendi edhe mund të ndryshoj…). Është interesant se përkundër kësaj rënje në tregun me shumicë, tarifat që konsumatorët paguajnë vazhdojnë të rriten. Kjo deri në një masë mund t’i atribohet intervenimeve të ndryshme rregullative në treg me qëllim të ruajtjes së ambientit, nxitjes së investimeve dhe sigurmin e furnizimit të pandërprerë. Natyrisht, shëndeti, ruajtja e ambientit, siguria e sistemit, etj. e ka kostos e vet.

  1. Çka në Kosovë? 

Investime në burime të ripërtëritshme  gjithsesi po dhe për këto investime nevojiten mekanizma dhe politika të qarta në perkrahje të tyre. Ato ekzistuese duhet të përmirësohën dhe të sofistikohen deri në atë masë sa të japin rezultate të cilat edhe duhet të jenë të përballueshme për xhepin e qytetarëve. Fatkeqësisht, duke u nisur nga fakti se xhepi e dikton dietën, del që jo edhe aq shumë. Bile shumë larg asaj sa vendi të mbështetet në ato burime, duke mos investuar në prodhimin e energjisë për shembull me thëngjill. Mbase do të kishte qenë mirë, definitivisht do të kishim qenë më të shëndetshëm nëse kur dalim për drekë gjatë punës të hanim peshk, fruta deti, mish organik të zier e perime, më shumë sesa qebapa e suxhuk por, shtrohet pyetja në formën më popullore të mundshme, ‘a na qet?’.

Pa thëngjill nuk besoj se na e qet por edhe me Kosovën A nuk do t’i kemi punët mirë me shëndet, e ambienti mosvet. Kosova A gjithsesi duhet të mbyllet. Nuk e di kur por mbase sa më shpejtë që është e mundshme sepse e kemi edhe obligim ndaj Komunitetit Evropian. Për Kosovë B e kuptuam se duhen investime për t’ia zgjatur jetën prodhuese. Kjo dmth se Kosova po investon në thëngjill, por pyetja është a duhet një tjetër investim (Kosova e Re)? Përderisa Kosovën B do ta kemi, shpresojmë, edhe në 20 vjetët e ardhshme ndoshta edhe nuk e kemi shumë për ngutë investimin në Kosovën e Re. Por, shtrohet pyetja tjetër, çka do ta zëvendësonte Kosovë A në një të ardhme të afërt dhe Kosovën B në një të ardhme më të largët? Në këtë aspekt, investimi në thëngjill është i doemosdoshëm sepse, përveç me import deri në një masë, vështirë se Kosova do të arrijë ta mbulon nevojën për produktin bazë se për pikun dhe off-pikun ashtu-kështu duhet t’i tregëtojmë. Natyrisht nuk ka asgjtë të keqe të mbështetemi në import, në fakt është shumë e rëndësoishme të jemi pjesë e tregut regjional dhe investimet potenciale t’i krahasojmë me çmimet e importit dhe eksportit.  Për këtë i rëndësishëm është interkoneksioni, e këtu Kosova nuk qëndron keq. Linja e re me Shqipërinë do të rriste shkëmbimet mes dy vendeve, e sidomos produktin më të rëndësishëm, fleksibilitetin, që do ofronte optimizim më efiçientëNatyrisht shkëmbimet nevojiten me gjithë rajonin dhe jo vetëm me Shqipërinë dhe këtu ekziston një hendikep i madh tash për tash. Që produktet e caktuara të energjisë elektrike të mund të shkëmbehen, nevojitet një treg likuid regjional. Në kushtet e një tregu likuid energjia nga burimet e ripërtëritshme do të akomodohej më lehtë dhe do të mund të tregëtohen psh. mungesat dhe tepricat çka do të ofronte një fleksibilitet në vete. Po i quaj “mungesat dhe tepricat” duke qenë i vetëdijshëm që kjo është jo e saktë. Në tregun e hapur tregëtohen të gjtha llojet e produkteve dhe duke qenë pjesë e tregut regjional apo Evropian çmimet përafrohen prandaj kemi rishpërndarje të mirëqenjes sociale. Konsumatorët në Kosovë mund të përfitojnë nga çmimet më të lira në rajon, apo gjeneratorët në Kosovë përfitojnë nga çmimet më të larta në rajon. Nuk të duhet një rezervë fleksibile apo një produkt i caktuar në vend nëse gjendet në rajon. E që shkëmbimi të bëhet i mundur nevojitet një platformë tregëtuese ku ai produkt i caktuar të mund të prokurohet me efikasitet. Duhet treg likuid afatshkurter (‘spot’ – tregëtohet dhe liferohet aty për aty) për optimizimin e pozicioneve të palëve në treg dhe çka është e doemosdoshme, treg afatlargët (‘forward/future’ – liferohet në një periudhë në të ardhmën) që të jep sinjale investive dhe mundësi që palët të sigurojnë një çmim që mbron të hyrat apo kostot e tyre.

Tregu liberal, pjesë e tregut Evropian, duhet të jetë prioritet po aq sa investimi dhe mekanizmat përkrahës të burimeve të ripërtëritshme. Në fakt është më i randësishëm sepse tregu ofron fleksibilitet dhe për më shumë është mekanizmi më i mirë për të vlerësuar produktet që burimet dhe teknologjitë e ndryshme mund ta ofrojnë. Pa këtë mekanizëm të rëndësishëm, të cilin rajoni ka marr obligim për ta vendosur, vendimet investive e sidomos ato komerciale afatshkurtëra do të jenë deri dikund sikurse ecje nëpër dërras të kalbur. Dhe ja ku lindi edhe një analogji për here tjetër…

(Ky shkrim është shkruar enkas për Metro. Autori punon si ekspert i tregut të energjisë në Londër, për një ndër kompanitë më të mëdha tregëtuese të energjisë në Evropë, EDF Trading. Opinioni i autorit nuk përfaqëson qëndrimet e kompanisë)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë